Ish-presidenti Bujar Nishani i është përgjigjur kreut të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, pasi ky i fundit i përmendi djalin, i cili mori nënshtetësinë austriake.
“Ajo që unë besoj se shoqëria jonë është se ajo tashmë duket më e emancipuar se politikanët. Mendon se ka njerëz që janë gati të vriten për parti? Pyetja që unë u bëj qytetarëve është do luftosh për fëmijët e tu apo të Lulit, se Luli i ka në Hollandë, apo të Bujar Nishanit që e bëri austriak? Besoj se shumica e shqiptarëve thonë se partia ime kryesore është familja ime, nuk do bëhem mish për top që të vijnë ata në pushtet”, tha dje Veliaj në një intervistë me Mirela Milorin.
Ndërsa në replikë të tij, Nihani i përgjigjet: “Rrugaçi i pashkollë që e kanë vënë në krye të Bashkisë së Tiranës paska marrë në gojë djalin tim nga ekranet e tv-ve.
Llaxorja që nuk e njeh nderin e dinjitetin e familjes, pasi u martua me paratë e ‘djersës’ së mamasë, merr kurajon t’i tregojë moralin këtij populli që helmohet çdo ditë nga betoni i narkomafias.
Nuk e kuptoka përse protestojnë shqiptarët !?
Ka njëmijë e një arsye pse ata dalin rrugëve të Shqipërisë.
Ata dalin edhe për Arditin, fati tragjik i të cilit do të tmerrojë gjithë jetën edhe të birin e këtij deviacioni human, sapo të ketë mundësinë ta mësojë”.