Në fillim të viteve ’80 të shekullit që shkoi, pasi lashë Tiranën dhe Përmetin e dashur (si banor i tij, jo si korrespondent profesionist), familjarisht u transferova në Sarandë. Nga buzë Vjosës që më përkundi qysh në djep, buzë detit me dallgë e pa dallgë djalërie, jete e mirësie. Isha bërë baba rrëzë Dhëmbelit, në një mesmaji me trëndafila shumë dhe me sazet e famshme që dukej se ndihmonin shpërthimin e luleve me vesë.
Atje njoha për herë të parë gazetarin ish partizan, Timoleon nga Lukova bukurimbuluar (me mbiemrin tim), me të cilin u miqësuam shpejt në gazetën lokale. Ashtu gjysëm i rehabilituar nga një goditje fatale politike nën brez e mu në zemër të kryeqytetit ku ish transferuar nga periferia, pasi punoi 3 vjet me tre turne në fonderinë e uzinës “Traktori”…për riedukim “në gjirin e klasës punëtore”! Edhe kur doli nga gremina e pamerituar, e dërguan për pak kohë “në provë”, në Lushnjë.
Asnjëherë nuk e dëgjova të rënkonte a të qahej për gjëmat që i ranë në profesion e në familje. Energjik, me kurajo e humor origjinal, nuk e lëshoi kurrë veten para të tjerëve. Si në Uzinë e Myzeqe, edhe në Sarandën plot brenga e dhimbjemadhe. Optimist i pandreqshëm në dukje për cilindo që e njohu sadopak.
Ata që janë ende gjallë, kujtojnë me siguri atë burrë krenar, me kokën lart e duart e lidhura prapa shpine, tek bënte gati përditë shëtitjen e gjatë më shpesh në vetmi. Edhe kur kishte ndonjë hall, edhe kur meditonte si fejtonist e reportazhist i veçantë.
Një zakon i vjetër që ndoshta i zbukuronte paksa mënyrën e jetesës. Sepse dallgët në kraharorin e tij, sikur bashkoheshin me ato të detit, shkriheshin e shkumëzonin gati njëlloj. Shpesh, kur merrte i pari gazetat e ditës që vinin nga Tirana në Postë, para se t’i çonte në Redaksi u hidhte një sy shpejt e shpejt në këmbë ose në kafene “Riviera”.
Këtë rit të përhershëm unë ia respektoja shumë. Gati nuk flisja fare. Mirëpo, nga vandaku me gazeta e revista, të parën zgjidhte njërën dhe ndalej pak më gjatë. Binte në të thella, skuqej pakëz në fytyrë dhe nëpër pëllëmbët e duarve i kalonte një drithërimë e lehtë. Ishte gazeta “Bashkimi”, djepi dhe “arkivoli” i tij?!
Ishte vatra e parë prushndezur ku menjëherë pas Çlirimit nisi udhën e gjatë e të minuar të Gazetarisë. Shkoi redaktor me rrobat partizane në trup, rroba që binin erë baruti nga betejat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Vonë, shumë vonë gjeti një kostum civil, kur vajti te mëma në Lukovë. Rrobat ushtarake i la amanet në një sepete të vjetër. Bashkë me kapelen me yll dhe shallin e shenjtë të Brigadës së Pestë Sulmuese Partizane!…
Kur mbaronte së vëzhguari të gjitha gazetat, i paloste shpejt, buzëqeshte lehtë dhe ngrinte zërin: “Kicoo, i ziu popull ç’këndon! E bëmë me qelqe(syze). Këndon broçkullat tona…”. Dhe tallej pa mëshirë me ca fjali a paragrafë të nënvizuar fort, që vërtet të irritonin natyrshëm. Për ndonjë autor të rëndomtë, nuk përtonte hiç të ironizonte :”-Dëgjo Timon, ky djalë ka nishane, do bëjë përpara !
Qamete, thjatro, thjatro…”. Dhe qeshte me shpirt, pa sharë e mallkuar. Për ndonjë shkrim që nuk ia mbushte syrin e mendjen, edhe mua më thumbonte hollë, plot kripë e lezet. “Mos e harro kurrë, po nuk i lëvizi asnjë qime e rrudhë lexuesit, autori nuk ka qullosur gjëkafshë…”.
Jo rastësisht i hodha këto radhë antiharrese. Katër mbrëmje më parë, u ktheva te një pikë servisi celularësh pranë Liceut Artistik. Shërbenin dy vajza të reja studente në Degën e Gazetarisë. Ardhur nga rrethet në kryeqytet. Komshiu im që më shoqëronte, nuk rrinte dot pa cingrisur më tej muhabetin. E ngau llafin atje ku më dhembte edhe mua: Pa llogaritur Elbasanin, do të mbaronin studimet e larta për Gazetari rreth 200 vetë!
Unë sikur ngriva pak çaste (një parantezë: Përmes një konkursi jo dosido, në kohën tonë fituan të drejtën e studimit vetëm 13, nga dhjetra që u paraqitën. Isha i vetmi ushtar që guxova të konkuroja, bashkë me një dosje të mbushur me shkrime të botuara. Dikush lëshoi edhe pyetje habitore “Ç’ne ushtari këtu!?”.
Nga të rrallët “pa shpatulla të ngrohta”…). Por befas u gëzova kur pashë në Komisionin e Posaçëm edhe të mirin Zef Gurakuqi, burrin serioz e gazetarin e shquar në “Zëri i Rinisë”, gazetë ku botoja shkrime që nga shkolla e mesme pedagogjike në Gjirokastër…
-Ju lutem, në cilën gazetë shkruani?…Ose në cilën Revistë, Radio e Televizion t’u ndjekim?,-pyeti prapë miku im.
-Xhaje, ne pas ca muajve mbarojmë Fakultetin, me të parë e me të bërë, të sigurojmë një herë atë Diplomën,-u përgjigj duke qeshur një nga vajzat studente.
-Më falni, a mundem të di se përse e zgjodhët këtë degë?
– Si puna jonë janë shumica…E do tamam-tamam? Na thanë se është dega më e lehtë në Universitet dhe vendosëm kështu. Rëndësi ka të mos mbetemi pa një diplomë të shkollës së lartë(?!)
Pse të gënjej, hapa nxitimthi derën dhe dola jo pak i trishtuar nga dyqani. Komshiu shkoi për të marrë ndihmën mujore sociale ose “lëmoshën” bashkiake. U ula në një bar-kafe prapa selisë së Qeverisë. Ndeza cigaren dhe po kujtoja prononcimin megaloman në media të një pedagogu të ardhur jo nga fusha e Gazetarisë. Me një guxim të frikshëm, i jepte leksione “kompetente” e definitive publikut të gjerë.
Dhe gati i binte me top edhe Kryeministrit, sepse ky i fundit paska deklaruar hapur se “çfarë na duhen 300 të diplomuar në Gazetari në vit”! Të them të drejtën, është nga rastet e rralla që unë bie në një mendje me Ramën. Sepse gazetaria e vërtetë nuk është pazar dhe as “strehë vorfnore” për të paaftët, hileqarët, rrogëtarët e peqeleperisë dhe as për xhambazët që i bëjnë hesapet me hijen e mëngjesit dhe me diplomat kallpe.
Të mos shkruash e të mos botosh asgjëkundi qoftë edhe një lajm të shkurtër, për kolegët e brezit tim është tepër fyese. Apo bëhet me tituj e grada shterpa mbi e nën supe ?! Pa u ndalur gjatë te tabori me moderatorë, analistë, koordinatorë e editorialistë, të cilët pushtuan sa hap e mbyll sytë median e shkruar dhe veçanërisht atë elektronike gjatë Tranzicionit rrumpallë.
Mjaft prej tyre lanë mënjanë e “djerrë” lëndinat personale të jetës profesionale ku kishin investuar jo pak dhe “gjetën Amerikën” në pasuri e gazetari, duke u bërë truri “eksiq” i pronarëve delenxhinj e interesaxhinj të fëlliqur. Shkurt muhabeti, siç thotë me të drejtë një miku im hokatar, “gazetës, mikrofonit, ekranit e pordhalit nuk i rrinë dot as si lopës pa viç”! (Pa njohur e plotësuar aspak kërkesat e Gazetarisë së vërtetë).
Pa menduar hiç se nuk u merr lopata ujë, janë kthyer e tjetërsuar në “teoricienë gjithologë”, duke abuzuar tmerrësisht me emrin e shenjtë Gazetar përballë opinionit publik që mufatet e shushatet gati përditë. Pra, nuk na duhen nallbanë “modernë” të mbyllur nëpër kullat e pronarëve mediatikë në metropol, që e shikojnë realitetin vetëm me dylbi. Duke ia futur shpesh edhe “si kau pelës”!
Mjafton të jenë në rregull me orekset dhe borderonë e pronarit a botuesit. Kalemxhinj që as skuqen e as zverdhen, paçka se këtyre pehlivanëve “u ikën lopa me gjithë viç”. Dhe herë-herë na hiqen të egërsuar e të përcëlluar, parimorë e të përgjëruar për fakirfukarenjtë ! E gjoja nuk shkojnë me këmbët e tyre si breshka te nallbani. I mprehin “thikat” majtas e djathtas dhe qëllojnë pa “mëshirë” mbi cilindo që nuk u ka shuar orekset private e ulërake, në pushtet e në opozitë.
Mjafton të shpërblehen majmërisht, pa e kapërcyer unazën e kryeqytetit. Dalin e teprojnë mbetjet e luftës politike; komunikatat e Policisë së Shtetit; ato të Prokurorisë e të Gjyqësorit; veprimtaritë burokratike e ndonjë skandal nëpër Administratën Shtetërore etj. Pa lëvizur hiç nga kafenetë e kompiuterat në metropol! Larg realitetit të madh social në periferi dhe përtej jetës së përditshme njerëzore në qytetet “provincialë”apo në fshatrat fushorë, kodrinorë e malorë.
Sipas këtyre gjithologëve fodullë e pa mullë, Shqipëria jonë politike, ekonomike e sociale merr frymë vetëm brenda “bunkerit” madhor mediatik të Tiranës…(!)
Mirëpo, vjen një ditë që kjo racë ligëshane as që e kupton tjetërsimin e vet tragjikomik në gazepqarë, që dinë vetëm të qahen e ankohen përballë opinionit të shëndoshë që i ka peshuar herët dhe i ka matur jo me spango të kalbur. Më të rinjtë e diplomuar me Diploma kallpe në Gazetari (mjaft prej tyre nuk kanë haber as nga Drejtshkrimi i Shqipes!), rrinë të hutuar pranë tezgave të tregut mediatik, duke ua pirë lëngun në praktikën që nuk të qas as te porta. Sepse një ditë këto diploma gazetarie nuk vlejnë e nuk dalin as breshkore (mburojë që ngjan me kurrizin e breshkës). Dhe as si ajo vallja e njohur popullore nëpër dasma.
Jo më kot të mençurit e moçëm thonin se “S’ka fushë pa breshkë”! Dhe janë gati të detyruar të hapin veshët e të dëgjojnë këshilla e analiza gazepqarësh brenda mureve të katedrave, rënkime, vaje e vizatime të djallëzuara partiake që nuk të japin as zemër e as shpresë. Aq më keq kur mjaft nga ata përfundojnë edhe si lolo e gaztorë të oborreve pushtetare e opozitare, partiake e tregtare. Hapur e prapa gardhit.
Kolegët e ndershëm të brezit tim nuk u tjetërsuan në lëpirës e pështymëhedhës dhe anasjelltas. Tranzicioni çmendurak shqiptar i la në pellgun e pamerituar të varfërisë! Vërtet nuk kanë “çifligje” e salltanete, por nuk e bënë kurrë pis dinjitetin e personalitetin. As vodhën e as u korruptuan për hir të një vile, pallati e apartamenti luksoz me para të qelbura. E tmerrshme: ata zuzarë na shesin moral me okë nga istikamet e tyre pasurore e shërbëtore, madje në emër të Lirisë së Fjalës!?
Hajdutë të certifikuar, gënjeshtarë me çizme e pa çizme, pacipëri sipërore. Por le ta mbyllim me 26 vjeçarin e rrallë nga viset e mia, penëmprehtin e papërsëritshëm, Nonda Bulka. Fjala vjen, pa kaluar as dy vjet nga botimi i shkrimit “Ironia e gazetarit hungarez”, foli shkurt e bukur për “gënjeshtrat simpatike të gjahtarëve”. Gënjeshtra të kontrolluara! Satirë dhe sarkazëm therëse, pa u shkëputur asnjëherë nga humori fin e buzëqeshja dhe realist tejendanë:
“…Një ditë prilli, mora çiften dhe zagarin, mbusha torbën me bukë dhe shkova në pyll. Më del një ujk i madh sa një kalë. Ngreh çiften, e vë në sy, heq zemberekun…pam, pam…e vrava. Më tutje del një dhelpër; e ngreh çiften, e vë në sy, heq zemberekun…pam, pam…e vrava edhe atë. Kur, pas pak del një ari; ngreh çiften e vë në sy, heq zemberekun…pam, pam!…
Kur gjahtari tha “pam, pam”, disa njerëz prapa tryezës ku bëhej ky muhabet, pëshpëritën: -Në qoftë se vret edhe ariun, do ta nxjerrim me shkelma jashtë gënjeshtarin.
Gjahtari i dëgjoi këto fjalë dhe përsëriti…-pam, pam…por nuk e vrava! /Nga Kristo MËRTIRI