“Fiks Fare” zbuloi se fermerët përdorin stimulantë dhe hormone në rritjen dhe pjekjen e fruta-perimeve. Në një vëzhgim në Kuçovë dhe Berat, “hambarin” e fruta-perimeve në Shqipëri, gazetarët e “Fiksit” zbuluan se domateve dhe kastravecëve iu hidheshin hormone për t’i nxjerrë sa më parë në treg.
Madje, fermerët vijonin t’i lyenin për skuqje nga jashtë. Ndërkohë bima e shalqirit, me anë të hormoneve skuqet për 10 orë. Për të dyja këto produkte, gazetarët e “Fiksit” shkuan drejtpërdrejt te fermerët, duke u bërë një pyetje të thjeshtë: A i konsumojnë vetë? Përgjigjja e tyre ishte: Jo!
Javët e fundit, në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” mbërritën dhjetëra ankesa dhe foto për cilësinë e domateve. Sipas tyre, domatja është e pakonsumueshme, pasi fermerët përdorin hormone. Nisur nga këto ankesa, gazetarët e “Fiksit” bënë një vëzhgim të thjeshtë, duke shkuar drejtpërdrejt te fermeri, duke i bërë një pyetje të thjeshtë: Përdorin apo jo hormone?
Fillimisht gazetarët pyetën një agronom në Lushnje, se te cilat sera të drejtoheshin për domate pa hormone. Agronomi pohoi se në të gjitha serat përdoren hormone dhe ngjyrues, madje jashtë normave.
“Hormoni lejohet në të gjithë botën, por te ne, nga kati i parë duan ta çojnë në kat të pestë bimën”, shprehet ai.
Në Fier-Shegan, një shitëse tregon se, edhe pse i shet, vetë nuk konsumon asgjë nga ato që tregton.
“Nuk fus në shtëpi as kastravec, as domate. Nuk ia vlejnë, pasi fermerët abuzojnë duke u hedhur 4- fishin e normës. Kastravecit ia hedhin ilaçin te rrënja dhe është shumë i dëmshëm për organizmin”, tregon ajo.
Në fshatin Kozare të Kuçovës, një fermer thotë se në të gjitha serat që janë në fshat, askush nuk ka domate “pa hile”.
“Nëse i do për fëmijë, mos merr. Nuk bëjnë, ose vetëm t’i sëmurësh me duart e tua”, i drejtohet ai gazetarit.
Ndërkohë që të gjithë fshatarët kanë sera dhe kanë mbjellë në to domate, por askush nga ata vet nuk i konsumon.
“Unë jam fshatar vetë, por kam frikë t’i ha”, pohon një fermer. “Filloj e ha nga fundi i majit kur ngrohet koha dhe piqen natyralisht”.
Ndërkohë, një tjetër banor i fshatit, i pyetur nëse mund t’i orientonte gazetarët në një serë të mirë për të blerë domate, ai përgjigjet se asnjë fermer në fshat nuk ka domate të sakta, pa hormone.
“Ta them me plot bindje se në Kozare është problem për të ngrënë perime”, thotë ai.
Në të gjithë fshatin, gazetarët i drejtuan vetëm te një fermer që nuk u hidhte hormone domateve. Rrugës për ta gjetur atë, pyesin një tjetër banore të fshatit për domate “të sakta” se ku mund t’i gjenin ato.
Ajo i drejton tek i njëjti fermer që i kishin orientuar edhe më parë gazetarët, se për domate të tjera ajo kishe serë vetë, por që nuk mund t’ua shiste, pasi ato ishin me hormone.
“Unë kam serë vetë, jam vetë e fushës, por ik tani se mund të thoja hajde se t’i jap unë”, u thotë ajo gazetarëve të “Fiks Fare”. Te dyqani që i kishin orientuar gazetarët, pyesin shitësin dhe ai ua pohon se domatet të gjithë i kanë me hormone.
Për të mos e thënë drejtpërdrejt, pyetjes së gazetarit ai i përgjigjet me një tjetër pyetje: Pse po kthehen gjithë ato trajlera në Doganë?
Kurse një tjetër fermer pohon se këto hormone i bëjnë keq organizmit të njeriut dhe fermerët me papërgjegjshmërinë e tyre po sëmurin njëri-tjetrin, madje ai shton “po u shpiket kanceri njerëzve nga abuzimi”.
Si skuqen shalqinjtë brenda 10 orëve?
Gjatë bisedës me një punonjës sere në Lushnje, “Fiks Fare” zbuloi se bima e shalqirit mund të vilej brenda 10 orëve me anë të ndërthurjeve të disa hormoneve bashkë.
Fillimisht, punonjësi i tregoi gazetarit të “Fiks Fare” se hormonet vinin nga Greqia dhe ato i sillte një tregtar grek, i cili komunikonte vetëm më agronomin e serës ose pronarin.
Çdo gjë mbahej në fshehtësi të plotë dhe punonjësit vetëm bënin përzierjet e rekomanduara nga agronomi. Madje punonjësi, i pyetur nga gazetari i “Fiksit” se çfarë hormonesh ishin, ai nuk di ta thotë emrin.
Ajo që i kishte bërë përshtypje ishte se, pas çdo thesi me hormone që përdorej, agronomi i mblidhte ambalazhet dhe i digjte, duke mos lënë asnjë gjurmë. Ai tregon se brenda ditës kanë bërë përzierjen e tri lloj hormoneve, duke e hedhur në depozitën e ujit, e cila më pas furnizon bimët e shalqirit dhe ditën tjetër në orën 06:00 të mëngjesit, shalqiri ishte bërë për t’u vjelur.
Në ujin vaditës ishin përzier hormon për rritje, hormon për pjekje dhe një hormon për zbukurim. Gjatë natës, në ujë ishte shtuar edhe hormoni për mosprishjen e kokrrës gjatë transportit. Tregu ishte i siguruar dhe eksportohej drejt Rumanisë.
Punonjësi tregon se brenda 10 orëve nga pjekja e shalqirit, për një ditë u bënë 23 tonë shalqi. Kur gazetari e pyet nëse edhe shijen e kishte si një frutë normal i shalqirit, që piqet në kushte normale pa hormone, punonjësi i serës shprehet se vetëm shije që nuk ka.
“Është diçka e rritur me stimulues, piqen nga jashtë, brenda janë…”, shprehet ai. Ajo çka të bën përshtypje në bisedën e tij është përdorimi pa kriter i hormoneve, “sa edhe bima vetë po ta këpusësh nxjerrë lëng të kuq si gjak”, pohon punonjësi i fermës në Lushnje.
Kronikën investigative mund ta ndiqni pas minutës së 4.30: