Është arrestuar në Bullgari autori i pestë i grabitjes së 9 prillit në aeroportin e Rinasit. Gazetarja Klodiana Lala tha për BalkanWeb, se i dyshuari i pestë si autor i megagrabitjes në aeroport pritet të vijë drejt Shqipërisë nën masa të rrepta sigurie.
Sakaq operacioni për arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje vijon nga policia e Shtetit.
Një ditë më parë, policia njoftoi arrestimin e 4 personave, e më konkretisht, Oltion Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula dhe Saimir Cela. Ndaj 4 të arrestuarëve rëndojnë akuzat e “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim” në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal”, ”Mbajtjes pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” “Vrasje e Punonjësve të Policisë “ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.
Ndërkohë përgjatë ditës së sotme, Alkond Bengasi i veshur me statusin e të mbrojturit të drejtësisë, mësohet të ketë rrëfyer edhe për rolet që personat e tjerë, kishin brenda grupit kriminal.
Ai u rrëfeu hetuesve se kushëriri i tij Klement Cala dhe Admir Murataj, kishin shkuar në servisin ku ai punonte dhe i kishin kërkuar të modifikonte furgonin me mbishkrimin “hetimi tatimor”, që u përdor nga banda për të realizuar grabitjen spektakolare.