Ilir Meta, vijon të ndikojë në Kosovë sa i takon çështjes së kufirit me Serbinë. Kryeministri Edi Rama është rreshtuar pro një marrëveshje që përfshin ndryshimin kufijve, nëse ajo mbështet nga ndërkombëtarët. Por presidenti Meta është kundër kësaj lëvizje duke mbështetur kryeministrin Ramush Hradinaj.
Të dielën vonë, Meta ka darkuar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe në fokus ka qenë pikërisht çështja e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.Ka qenë vetë Haradinaj, ai i cili përmes rrjeteve sociale ka njoftuar takimin. “Takim miqësor me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta. Është gjithmonë kënaqësi të diskutojmë bashkë për temat e rëndësishme të interesit kombëtar”, tha ai.
Fakti që Meta po takohet shpesh me Haradinajn, tregon qartë se Presidenti po ndërhyn në Kosovë, duke qenë se dhe Haradinaj është kundër ndryshimit të kufijve. Më herët presidenti ka dalë publikisht kundër ndryshimit të Kufijve. “Politikat e hartuar europiane për Ballkanin Perëndimor duhet të forcojnë sigurinë, institucionet dhe ekonomitë tona; duhet të jenë të zbatueshme, transparente dhe të synojnë rritjen e besimit të qytetarëve; plotësisht të përafruara me vlerat dhe standardet europiane.
Bashkimi Europian nuk duhet të gabojë që të bëjë kompromise në këtë orientim; përkundrazi duhet të ruajë përqendrimin e vet te çështjet thelbësore të proceseve tona përkatëse. Ndryshimi i vetëm i kufijve, për të cilin duhet të punojmë ditë e natë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit europian në Ballkanin Perëndimor!”, u shpreh Meta pak kohë më parë.
Rama pro rishikimit të kufijve
Ndryshe nga Meta, kryeministri Rama është rreshtuar pro një pakti mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë një interviste për “Deutsche Welle”, Rama për herë të parë ka folur qartë mbi idenë e ndryshimit të kufijve. Rama tha hapur se Shqipëria mbështet arritjen e një marrëveshje historike sa i takon kufijve.
Po ashtu Rama tha se është krah SHBA dhe BE për këtë çështje. Por SHBA dhe BE janë shprehur se për sa kohë Thaçi dhe Vuçiç gjejnë gjuhën e përbashkët, ata i mbështesin. Pra, në një farë mënyre dhe kryeministri shqiptar është rreshtuar në këtë linjë. “Në këndvështrimin tim ka një proces të domosdoshëm dialogu, i cili duhet të finalizohet dhe padyshim që duhet të finalizohet në një marrëveshje historike mes Serbisë dhe Kosovës.
Përsa na takon neve, ne mbështesim çdo marrëveshje që ka pa ekuivok mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së. Kaq. Të tjerat pastaj janë “dokrra hini”, siç thoshte At Gjergj Fishta”, tha kryeministri dje. Me këtë deklaratë Rama konfirmon edhe një herë se në Tiranë kemi dy linja, nga njëra anë është Meta e Berisha që janë kundër çdo lloj pakti dhe nga ana tjetër mazhoranca mbështet idenë e ndërkombëtarëve.
Ndërkombëtarët e kanë thënë disa herë se përsa kohë gjendet gjuha e përbashkët, e cila më pas sjell dhe njohjen e Kosovës, ata e mbështesin. Por Meta e Berisha dhe njerëz pranë tyre janë rreshtuar hapur kundër. Vetë Rama është pyetur dhe për mbështetjen amerikane, duke thënë se qeveria e tij është pro Uashingtonit. /Kliti Topalli