Kreu i shtetit, në masën 99 përqind të arsyetimit të paraqitur zyrtarisht për kthimin e këtij ligji pa e dekretuar në Kuvend, janë marrë nga arsyetimet e ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Nuk mund ta akuzojnë Xhafajn drejtpërdrejt se ia ka përpiluar ai arsyetimin dhe dërguar të gatshëm Metës për të rrëzuar ligjin e Lleshajt për Vettingun në polici, por fakt është se në të gjitha pikat refuzuese Meta i referohet mot a mot Xhafajt.
Ndryshimet, sipas Presidentit, synojnë kontrollin qeveritar në proces, dhe mbajtjen e policëve nën presion. Qeveria sipas Metës po tenton të kontrollojë procesin me SHCBA-në. S’ka afat mbylljeje, kështu vihen nën presion policët, njëlloj sikurse ishin arsyetimet Xhafajt.
Ai vlerëson ligjin e parë të miratuar dhe me votat me opozitës, LSI, kur ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj, ndërsa shprehet se me ndryshimet që i bëri ministri i ri Sandër Lleshaj, qeveria në të vërtetë kërkon që të kontrollojë procesin e Vettingut në Policinë e Shtetit.
“Këto ndryshime në ligj krijojnë bindjen se, qëllimi real i qeverisë në ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore nuk është zvogëlimin i kostove financiare për realizimin e këtij procesi, por vullnet i shprehur i saj, për ta kontrolluar këtë proces nëpërmjet një strukture vlerësuese në varësi të saj, siç është Shërbimi i Çëshjeve të Brendshme dhe Ankesave, strukturë aktuale kjo drejtpërdrejt në varësi të funksionit politik të Ministrit të Brendshëm, pra të qeverisë.
Argumenti i Këshillit të Ministrave se ky mekanizëm i ri garanton të njëjtin standard për të gjithë procesin, pasi punonjësit e SHÇBA-së do t’i nënshtrohen të njëjtit proces në fazë të parë dhe se nuk ndryshojnë kriteret dhe procedurat e vlerësimit, nuk qëndron ligjërisht”, thotë Meta.
Ilir Meta deklaron se ndryshimet e miratuara me këtë ligj nuk krijojnë garancitë e nevojshme se një proces kaq i rëndësishëm si vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, do të realizohet në kohën e duhur, me objektivitet dhe paanshmëri, duke bërë hapa pas në raport me standardet e ligjit në fuqi.
“Nuk përcaktohet më asnjë afat se kur përfundon procesi i vlerësimit kalimtar të të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.
Ndryshimet e miratuara me këtë ligj nuk krijojnë garancitë e nevojshme se një proces kaq i rëndësishëm si vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, do të realizohet në kohën e duhur, me objektivitet dhe paanshmëri, duke bërë hapa pas në raport me standardet e ligjit në fuqi. Ligji krijon terren që ky proces të ketë ndikim politik”, thotë ai.
Edhe Xhafaj dy pika kryesore që u ndryshuan kundërshtoi, dhe ato janë afati dhe komisionet që do të bëjnë Vettingun. Sipas tij, në ligjin e ri parashikohet që Vettingun në Policinë e Shtetit, në fazën e parë për drejtuesit e lartë, 300 grada ta bëjë një komision i jashtëm sikur është deri tani, ndërsa 13 mijë punonjësit e policisë ti kalojë në skaner më pas SHÇBA-ja.
Por, për Fatmir Xhafajn, ky institucion nuk mund të bëjë një filtër të tillë, pasi e para është në varësi të ministrit dhe mund të cënohet pavarësia e procesit dhe e dyta sepse SHÇBA-ja nuk ka kapacitetet e nevojshme. Ndërkohë, dhe për koston financiare Xhafaj e Meta arsyetojnë njëlloj.
Pra Meta dhe Xhafajt puthiten në arsyetimet e tyre kundër ndryshimeve në ligjin për Vettingun e policisë që ministri i Brendshëm bëri, për të mos thënë se janë bërë nga e njejta “dorë”./Pamfleti/