Presidenti Trump dhe bashkëshortja e tij Melania e hapën sot Shtëpinë e Bardhë për të pritur mijëra fëmijë me rastin e Pashkëve, një traditë e përvitshme që ka filluar në Shtetet e Bashkuara në vitin 1878.
Fillimisht, Presidenti dhe Zonja e Parë hëngrën mëngjes në Dhomën Blu të Shtëpisë së Bardhë, me të ftuarit në këtë ceremoni tradicionale.
Pastaj çifti presidencial doli në verandë, përkrah Lepurushit të Pashkëve, një personazh shumë i dashur për fëmijët.
Presidenti mbajti një fjalim të shkurtër, ku falenderoi Zonjën e Parë dhe stafin e Shtëpisë së Bardhë për organizimin e ceremonisë.
Presidenti falenderoi gjithashtu fermerët, të cilët sollën me këtë rast mijëra vezë në Shtëpinë e Bardhë.
Më pas, fëmijët u derdhën në oborr me thirrje të hareshme, për të gjetur vezët ngjyrëshe të Pashkëve.