Nga Carlo Bollino
Tregu shqiptar i news-eve është përmbytur nga lajme të rreme. Mediat online prodhojnë çdo ditë qindra tituj, që në shumicën e rasteve shërbejnë vetëm për të mbledhur klikime dhe jo për të informuar në mënyrë korrekte opinionin publik. Rezultat i kësaj është krijimi i një “realiteti virtual”, i cili mbivendoset dhe përzjehet me “realitetin real”.
Shumë pak tregojnë një linjë logjike të ngjarjeve bazuar mbi dokumenta dhe mbi ato pak gjëra të sigurta që dihen, ndërkohë që shumica parapëlqen të mbushen boshllëqet informative me fantazi, propagandë dhe keqdashje, përbërës këto, që e bëjnë rrëfimin më me shije dhe, kështu, edhe më tërheqës për një opinion publik që kërkon gjithnjë e më shumë emocione të forta dhe urrejtje të forta.
Janë të njejtët përbërës, mbi të cilët bazohet populizmi i shumë forcave politike edhe jashtë Shqipërisë, një populizëm, të cilit nuk duhet t’i bëhen bashkëfajtore mediat profesioniste dhe të pavarura. Problemi i Shqipërisë është se ka shumë pak media profesioniste dhe shumë pak media me të vërtetë të pavarura, kështu që antitrupat kundër populizmit, që ushqehet me fake news dhe që përhapet edhe në mediat sociale, janë të pamjaftueshme për t’i bërë barrierë sëmundjes.
Por jo të gjitha fajet për këtë i kanë gazetarët. Edhe aftësia e dobët e institucioneve për të informuar dhe mungesa e transparencës, me të cilën shumë zyrtarë komunikojnë me publikun, kontribuojnë duke ushqyer fake news-et. Dëshiroj të citoj dy episode të 24 orëve të fundit, vetëm pse janë më të afërtat në kohë, jo pse janë më të rëndat.
Që nga dita e premte, të gjithë mediat flasin për projektin e Rudina Hajdarit për të krijuar një forcë të re politike, të quajtur “Bindja Demokratike”, me të cilën synon të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të 30 qershorit. Lajmi mbështetet në njoftimin që vetë Rudina Hajdari bëri në Kuvend, ku shprehu vullnetin për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, duke propozuar “një alternativë të re”.
Që nga ai moment, ka nisur një mish-mash tipik informatik ”alla shqiptarçe”, ku askush nuk kupton më se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është gënjeshtër. Edhe sot e kësaj dite që po shkruajmë këto rradhë, nuk kuptohet nëse kjo forcë politike e Rudina Hajdarit ekziston (të paktën si synim) dhe se në ç’pikë ndodhet krijimi i saj. Në betejën e saj të parë në jetën politike, Rudina Hajdari nuk arrin të komunikojë me gazetarët, por nuk arrin as të përdorë Facebook-un për t’i bërë të tjerët të njihen me të vërtetën e saj.
Vetëm sot, për të parën herë pasi lajmi qarkullon prej katër ditësh, ajo vendosi të postojë një mesazh, në të cilin, ndër të tjera, shkruan: “Ajo që më bën përshtypje në kushtet e ‘psikiatrisë politike’ ku jemi futur është fakti që personalisht, pa dhënë asnjë deklarim apo pa ndërmarrë asnjë iniciativë lidhur me këtë, më cilësojnë si kryesuese të një forumi të ri që po krijohet, por nga kontaktet që zhvilloj anë e mbanë vendit, dhe kudo ku ka shqiptarë të ndershëm, duke respektuar dhe festat e Pashkëve, nuk jam shprehur më parë”.
I bën përshtypje? Psikiatri politike? Por faji i kujt është, në rast se nuk është i saj, për transparencën e dobët, me të cilën edhe sot, në postimin e saj, ajo as pohon, por as përgënjeshtron? Edhe transparenca e pakët e zyrtarëve ushqen fake news-et, jo vetëm pabesia e gazetarëve.
Episodi i dytë është komunikata me të cilën Policia njoftoi sot katër ndalime në kuadër të hetimeve për grabitjen e Rinasit, që ndodhi më 9 prill. Pas një komunikate të shkurtër paraprake, të nxjerrë menjëherë pas grabitjes së përgjakshme, në të cilën një nga grabitësit mbeti i vrarë, më në fund sot Policisë i erdhi zëri sërish.
Por edhe një herë këtë e bëri me një komunikatë burokratike, me pak rreshta, në të cilën nuk sqaron asnjë nga qindra dyshimet të cilat dy javë u mbushën me (pak) news dhe me (shumë) fake news të përziera mes tyre, kanë gjeneruar në opinionin publik.
13 ditë pas grabitjes, Policia vazhdon të mos japë një dinamikë të saktë të ngjarjes, nuk shpjegon rolin e të arrestuarve, nuk thotë asgjë lidhur me përgjegjësitë e aeroportit dhe të shoqërisë që merret me sigurinë e tij (kundër së cilës, madje, u shpreh edhe qeveria), nuk shpjegon se në ç’rrethana u vra një nga grabitësit, nuk thotë nëse është e vërtetë që një grabitës tjetër ka mbetur i plagosur (sikurse deklaroi në Kuvend Taulant Balla) dhe nuk thotë gjë as për shumën e parave të vjedhura. Shumë, për të cilën nuk duhej të kishte dyshime, përveç po të bëjmë hipotezën se edhe bankat fshehin të vërtetën.
Një mungesë absolute transparence nga ana e Policisë, e cila është identike me transparencën inekzistente të Prokurorisë. E gjithë kjo nuk ka të bëjë me sekretet hetimore, shumë nga të cilët, sidoqoftë, kanë dalë në mënyrë përzgjedhëse në disa media, duke shtuar konfuzionin, në vend që ta zhduknin atë.
Lajmet e qarkulluara këto 13 ditë heshtjeje zyrtare në media janë në fakt qindra, shumë më tepër nga ato pak detaje të përcipta, të dhëna nga komunikatat e institucioneve. Opinioni publik ka të drejtën të njohë të vërtetën, por, nëse Policia dhe Prokuroria heshtin, duke imponuar rregullat e një censure të vjetër informative 30-vjeçare, askush nuk ka më pas të drejtën të ankohet nëse opinioni publik bindet nga fake news-et dhe dyshimet, të cilat i gjeneron heshtja dhe mungesa e transparencës së institucioneve. (Shqiptarja.com)