Lideri i partisë opozitare në Turqi, Partia Republikane Popullore (CHP), Kemal Kılıçdaroğlu, është sulmuar nga një grup i cili protestonte kundër tij gjatë ceremonisë mortore të një martiri që humbi jetën ditë më parë në kufirin Turqi-Irak, raporton Anadolu Agency (AA).
Kılıçdaroğlu vizitoi rrethin Çubuk të kryeqytetit Ankara, për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të martirit Yener Kırıkcı, i cili humbi jetën në kufirin Turqi-Irak.
Një grup i cili brohoriste me sloganin “Martirët nuk vdesin, atdheu nuk ndahet, mallkuar qoftë PKK-ja”, sulmuan me grushte dhe shqelma Kılıçdaroğlu-n.
Në zgjedhjet e fundit lokale që u mbajtën më 31 mars, Partia Demokratike e Popujve (HDP) e cila njihet me afërsinë ndaj organizatës terroriste të PKK-së, në qytetet perëndimore të Turqisë kishte mbështetur kandidatët e CHP-së.
Lideri opozitar i cili mbrohej nga njësia e operacioneve speciale, policia dhe xhandarmëria, pasi u mor nga zona, është dërguar në një shtëpi. Ndërsa përreth shtëpisë u krijua një rreth sigurie.
Celal Uzunkaya, drejtori i përgjithshëm i policisë, bashkë me pleqtë e fshatit me megafon u përpoqën që të qetësojnë grupin.
Më pas ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar arriti në shtëpinë ku ishte vendosur lideri opozitar. Gjithashtu edhe Akar kërkoi nga qytetarët që të qetësohen.
Kılıçdaroğlu pas rreth një ore u nxor nga shtëpia dhe u largua me anë të një automjeti të blinduar. Në të njëjtën kohë forcat e sigurisë morën masa sigurie.
“Janë marrë të gjitha masat e sigurisë në lidhje me Kılıçdaroğlu-n. Janë drejtuar forcat shtesë, tashmë nuk ka problem të sigurisë”, tha Vasip Şahin, guvernatori i kryeqytetit Ankara.
Prokurori i përgjithshëm i Ankarasë, Yüksel Kocaman, në deklaratën për AA tha se kanë nisur hetim në lidhje me rastin.
Ministri i Brendshëm, Süleyman Soylu, tha “Sigurisht që është i papranueshëm një incident i tillë në ceremoninë mortore të një martiri. Qoftë e kaluar”. Soylu tha se janë duke e ndjekur rastin.
Ndaj sulmit reagoi edhe ministri i Drejtësisë, Abdülhamit Soylu, duke theksuar se është e papranueshme që të ndodhë një incident i tillë në ceremoninë mortore të martirit.
“Mendoj se ata që e kanë bërë këtë janë brenda një provokimi. Jam i bindjes që të zbulohet edhe planifikimi pas kësaj”, tha kryeparlamentari i vendit Mustafa Şentop, gjatë vizitës së tij në Tekirdağ.
Zëdhënësi i Partisë AK, në pushtet, Ömer Çelik, ishte ndër zyrtarët e lartë që dënoi sulmin ndaj Kılıçdaroğlu-t. “Dënojmë çdo lloj akt të dhunës. Askush nuk ka të drejtë të dalë jashtë ligjit. Dhuna nuk është një mënyrë e kërkimit të së drejtës ose protestës. Përgjegjësit do të zbulohen dhe do të merren veprimet e nevojshme ligjore”, theksoi ai.
Ndërsa zëvendës kryetari i AK Partisë, Numan Kurtulmuş, duke e dënuar sulmin e përshkroi atë si të papranueshëm.