Sipas rezultateve të para të publikuara në ueb faqen e KSHZ-së prej 53,76 për qind të votave të përpunuara, kryeson kandidati presidencial i LSDM-së dhe Koalicionit Stevo Pendarovski me 42,71 për qind, e dyta është kandidatja e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit Gordana Siljanovska Davkova me 41,08, ndërsa i treti është kandidati i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Besa, Blerim Reka me 12,05 për qind.
Jehona në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale deri në orën 18:30 ka qenë 39,71 për qind nga 91,54 për qind e vendvotimeve ose në votime kanë dalë rreth 700 mijë qytetarë.
Votuesit kanë zgjedhur midis tre kandidatëve: shqiptarit Blerim Reka, i cili kandidon si i pavarur, por që mbështetet nga partitë opozitare.
Në garë përvec Rekës janë Stevo Pendarovski i mbështetur nga 31 parti (mes tjerash, BDI dhe LSDM), dhe Gordana Siljanovska-Davkova nga OBRM-PDUKM dhe partitë tjera opozitare maqedonase.
Por që një prej të treve të fitojë që në raundin e parë sipas kodit zgjedhor maqedonas i nevojiten mbi 900 mijë vota. Nëse kandidatët nuk arrijnë të marrin shumicën e nevojshme të fletëve të votimit në raundin e parë, atëherë sipas kushtuetutës nevojitet raundi i dytë i zgjedhjeve për dy kandidatët që kanë fituar më shumë vota në raundin e parë.
Sikurse e përcakton ligji raundi i dytë i votimit mbahet në afat prej 14 ditësh pas përfundimit të të parit, në këtë rast më 5 maj. Për president zgjidhet kandidati i cili ka fituar shumicë votash, nëse në vendvotimet kanë dalë më shumë se 40 për qind e votuesve të regjistruar.