Ish-kryeministri Sali Berisha rrezikon të çojë vendin drejt kaosit. Në një intervistë ai paralajmëroi një ’97-të të dytë nëse shkohet në zgjedhje pa opozitën.
Gazeta u interesua pranë ish-deputetëve të PD, krerëve të degëve dhe kryebashkiakëve të kësaj partie, për të mësuar më shumë mbi planin e demokratëve dhe të LSI për të mos lejuar zgjedhje farsë.
Por sinjalet janë të qarta se dyshja Berisha-Meta duan të destabilizojnë vendin. Lulzim Basha është tërhequr nga protesta dhe po jep sinjale shumë të qarta se do të hyjë në zgjedhje.
Por Berisha e Kryemadhi i kanë rritur presionet ndaj tij, duke kërkuar të mos ketë zgjedhje me Ramën kryeministër. Nëse ndodh kjo, gazeta ka mësuar se PD-LSI po planifikojnë që të kemi “luftë” më 30 qershor.
Sigurisht që orkestruesi i gjithçkaje është Sali Berisha, pasi plani i tij është që të na kthejë në vitin e mbrapshtë të 1997. Por çfarë synojnë përfaqësuesit e PD dhe të LSI të ndodhë më 29 dhe 30 qershor?
Burime shumë të sigurta nga PD thanë se qëllimi kryesor i tyre është që të mos ketë zgjedhje. Kjo do realizohet së pari, duke bllokuar daljen e materialeve zgjedhore nga KZAZ dhe shkuarja e tyre te qendrat e votimit.
Degët janë porositur që tani të marrin masa, ndërsa nuk përjashtohet si mundësi që të rrethohen KZAZ-të me militantë duke mos lejuar daljen e materialeve, të sulmohen dhe makinat duke djegur fletët e votimit e duke shkatërruar kutitë.
Por vetë demokratët e dinë se kjo është e vështirë, pasi makinat mund të shoqërohen me efektivë policie. Për këtë arsye, do tentohet që të sulmohen qendrat e votimit gjatë natës, pasi të jenë futur materialet e votimit.
Në vend janë rreth 5 mijë qendra votimi dhe militantët e PD-LSI do e shfrytëzojnë këtë, duke qenë se është e pamundur që të gjitha të ruhen nga dhjetra policë.
Deri më sot në çdo qendër votimi ka pasur nga një efektiv, pasi policia nuk ka burime njerëzore të mjaftueshme që të blindojë të gjitha qendrat. Edhe militantët këtë duan të shfrytëzojnë.
Vijimi i planit
Nëse kutitë e votimit arrijnë të futen bashkë me bazën materiale dhe qendrat e votimit nuk preken, atëherë njerëzit e Berishës dhe Kryemadhit do vënë në zbatim planin B, duke tentuar të bllokojnë votimin duke nxjerrë njerëzit e tyre para qendrave të votimit në mënyrë që të mos futen njerëz.
Po ashtu qendrat mund të sulmohen me gurë e mjete të forta për të trembur votuesit. Ndërsa skenari i tyre i fundit është që të bllokojnë qendrat e numërimit të votave duke mos lejuar futje e kutive me fletët e votimit.
Duket si skenar filmash, por burime shumë të sigurta i thanë gazetës se degëve u është kërkuar që të bëhen gati. Sigurisht që kemi një ndarje. Njerëzit e Bashës janë kundër dhunës, ndërsa ata të Berishës e Kryemadhit janë gati të bëjnë gjithçka.
Berisha e tha në një studio televizive se kjo është betejë për jetë a vdekje dhe nuk ka kthim pas. Vetë socialistët kanë filluar të reagojnë, pasi gazeta ka mësuar se dhe në PS kanë shkuar zëra se Berisha po planifikon një skenar detsabilizues më 30 qershor.
Një përfaqësues i një dege të rëndësishme të PD në Tiranë i tha gazetës se zgjedhjet vendore mund të përcaktojnë fatin e PD dhe për këtë arsye janë gati të bëjnë gjithçka.
Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve pa PD bën që PS të fitojë në të gjitha bashkitë dhe më pas mund t’i marrë elektoratin PD, duke e rrudhur.
Për këtë arsye, Berisha ka nisur presionet ndaj Bashës dhe po angazhon të vetë në bazë që të bëhen gati për revolucion.
Megjithatë, asnjë nga këto mund të mos ndodhë, pasi gjasat janë që të kemi një pakt Rama-Basha dhe PD-LSI të shkojnë në zgjedhje. Po ashtu vendimtar është dhe ndërhyrja e ndërkombëtarëve. Por e qartë është se Berisha, Meta e Kryemadhi janë trembur dhe janë gati të sakrifikojnë gjithçka./Kliti Topalli, SOT