Berisha vazhdon t’u bëjë thirrje, militantëve, fansave (publikut) të jenë gati për revanshin nëse mazhoranca do zhvillojë zgjedhjet vendore në 30 Qershor. Madje nuk përjashtoi si opsion dhe përplasjen civile. Gjuha kërcënuese nuk është e re, e panjohur për liderin e dorëhequr de-jure të së djathtës.
Ai, sa herë është ndodhur në opozitë ka gjetur çdo lloj detaji për të paralajmëruar ofensivën kundër institucioneve. Këto lloj deklaratash e portretizojnë Berishën si një njeri të pandreqshëm, të kompleksuar që nuk mund ta kuptojë veten të zhveshur nga pushteti.
Duke njohur natyrën kapriçoze prej malësori, i ndjeri Namik Hoti shprehej dikur në mënyrë profetike se vështirë se mund të zbriste vullnetarisht nga kali. Ai që e shndërroi votën në një gjë pa vlerë, sipas parimit “nuk ka rëndësi kush voton, sa kohë ne numërojmë”, përsërit sistematikisht se kurrë nuk do ta njihte një qeveri të votave të vjedhura.
Në fakt halli është gjetiu, tek Reforma në Drejtësi, tek pasiguria për të nesërmen, për mënyrën se si është qeverisur, për gjithë zullumet që e kanë shoqëruar në pushtet. Të tjerat si, rreziku për demokracinë dhe për popullin që ndodhet në pikën kritike, janë artifice për t’iu shmangur së vërtetës, thelbësores.
Por kërcënimet e tij nuk duhen injoruar. Retrospektiva do na ndihmonte ta ndriçonim këtë të vërtetë. Pas fitores së zgjedhjeve të para pluraliste në ’92-shin, politika ekonomike e ndjekur nga PD-ja qe ajo e nivelit zero. U rrafshua gjithçka mbi faqe të dheut shqiptar me logjikën se ato qenë ndërtuar nga komunistët. Kjo shpuri në rrënimin ekonomik përfundimtar, qe një goditje vdekjeprurëse, një kolaps nga i cili nuk e morëm veten kurrë.
Vlera materiale, monetare të ndërtuara me mundin dhe gjakun e këtij populli u kthyen në grumbuj mbeturinash. Po kështu u trajtua prona, si mall pa zot. Ligji 7501 për Tokën, qe varri i vërtetë për ekonominë shqiptare. Zgjedhjet e ’96-tës shënuan fundin e zgjedhjeve të ndershme të gjithëpranuara në Shqipëri, lindjen e një klase cubash, e një elite të vetemëruar që riciklohej në pushtet me makinacione, me allishverishe, pazare në kurriz të publikut dhe sfidave të integrimit Euro –Atlantik.
Vijimësisht ’97-ta me firmat piramidale qe preludi i mashtrimit dhe vjedhjes më të madhe që u qe bërë ndonjëherë shqiptarëve gjatë historisë së tyre. Nuk mund të harrohet injorimi i ekspertëve ndërkombëtarë të FMN-së dhe cilësimi i parave tona si të pastra, të ligjshme.
Vetëm pak muaj më pas sporteleve rentiere ju vu dryni, dhe kundra turmave të zemëruara u lëshua SHIK-u dhe ushtria. Vala e shkatërrimeve, vrasjeve, përdhunimeve, ngjarjeve makabre shënoi rekorde; lajmet e kronikës së zezë pushtuan ekranet e gjithë televizioneve prestigjioze botërore. Dorëzimin e pushtetit, Berisha e përjetoi si ngjarjen më makabre dhe përkundër kësaj asgjë tjetër dukej se nuk i bënte përshtypje.
Vrasja e zotit Azem Hajdarit shërbeu si pretekst për t’iu sulur institucioneve, dhe për një varg grabitjesh në Tiranë. Mandej dy mandatet e fundit qeverisëse shënuan ngjarjet më të rënda korruptive, humbjen e dhjetëra jetëve njerëzore dhe thellimin e gropës financiare në buxhet, rrënimin e çdo morali, e çdo skrupulli, “kapërcimin e ylberit”, ku asgjë nuk dukej më e pamundur.
Futja e dorës në thesin e institucionit, të agjencisë, të ndërmarrjes quhej zotësi dhe kishte imunitet përballë gjykatës në rast se futeshe tek shpura e besnikëve të oborrit. Madje jo rrallë ngriheshe në detyrë. Shembulli i Fatmir Mediut, Lul Bashës apo ndonjë tjetri të përfolur nga drejtësia e provojnë katërcipërisht këtë fakt. Arritëm në një pikë dëshpërimi pas 21 Janarit kur mendonim se vetëm zoti mund të na shpëtonte nga ky njeri. De-facto ai ishte mbreti që vendoste për gjithçka dhe nuk kishte kush ta kundërshtonte.
Ai u shfaq herë si demokrat, herë si republikan, herë si monark, herë si konservator, herë si liberal, herë si autoritarist dhe herë si kampion i lirisë duke krijuar mitin e një figure populiste poliedrike, për të cilën çdo vlerësim i momentit do ishte i nxituar. Kjo ngatërroi jo vetëm opinionin e brendshëm por edhe atë ndërkombëtar. Por pak nga pak Berishës i doli boja dhe miqtë më fanatikë në perëndim e lanë në baltë.
E meta e tij qe se kurrë nuk diti të tërhiqej në momentin e duhur për të mbetur një figurë enigmatike. Ai po përpiqet si zakonisht të aplikojë strategjinë e tokës së djegur, pa kurrfarë brereje ndërgjegjeje.
Nga Luan KURTI