“Gjithçka zë fill me një udhëtim të tim ati në vitin 1978 kur ishte pjesë e një delegacioni të Partisë Komuniste Marksiste Leniniste, linja e fortë e së majtës antifrankiste.
Ai udhëtim i la një mbresë të pashlyer. Një mbresë që ma ka transmetuar përgjatë viteve dhe që më ka frymëzuar si rrallëherë”, kështu shprehet regjisori spanjoll, Marco Lledó, i cili ka realizuar një film mbi trazirat e ’97-ës.
Në kuadrin e Javës Spanjolle të Letërsisë 2019, ambasada spanjolle në Tiranë shfaq në datën 23 prill filmin triller “Zgjimi i Enver Simakut” (The Invocation of Enver Simaku), me regji e skenar nga Marco Lledó. Filmi tregon historinë e një gazetari francez që vjen në Shqipëri për të zbuluar të vërtetën e vr_ asjes së bashkëshortes së tij, në Shqipërinë kaotike, në vitin 1997. Interpretojnë Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Viktor Zhusti, Pirro Milkani, Ema Andrea, Laert Vasili, Lulzim Guhelli etj.
“Në vitin 2005 munda të bëj udhëtimin tim të parë në Shqipëri me atë që më pas do të ishte gruaja ime dhe drejtoreshë e fotografisë së filmit. Çuditërisht, edhe marrëdhënia jonë lindi prej atij udhëtimi, kur jetonim në Gjermani për studime. E kështu nisa të tjerr mbi këtë vend një lloj mistike të veçantë, që më lidh me të. Është një vend ku më pëlqen të kthehem. Kam bërë plot miq. Ndjehem thjesht në shtëpi”, thotë regjisori. “Gjëja e parë dhe më e habitshme është të mbërrish në një vend kaq të panjohur e të t’i hapin dyert tej e tej.
Të gjesh kaq shumë mbështetje e kaq shumë pasion, edhe pse bëhet fjalë për një projekt të vogël si ky i yni. Ndonjëherë, nuk jam në gjendje të dalloj nëse është Shqipëria apo Elsa Bakshevani, producentja ime e asociuar dhe Anastasi Prodani, mbështetja tjetër e imja atje. Me këtë dua të them që nuk e di nëse përvoja do të kishte qenë e njëjtë me persona të tjerë. Sinqerisht dyshoj. Por është gjithashtu e vërtetë se ka një frymë të përgjithshme në Shqipëri, që ndryshe nga Spanja, bën që gjërat të ndodhin më shpejt. Në një mënyrë më të improvizuar ndoshta. Më të shpejtë, më pak burokratike”. Marco Lledó u nis drejt një të panjohure të madhe, në një vend që nuk e njihte, e dora dorës ndërtoi historinë e tij.
Fati dhe kontaktet e duhura bënë që ai të punonte me disa nga aktorët më të mirë shqiptarë, si Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Viktor Zhusti, Ema Andrea, regjisori Pirro Milkani, i shtohet po ashtu këtij kasti të çmuar. Për Lledó puna me ta ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme. “Metodologjia e tyre e punës, sidomos ajo e më të vjetërve m’u duk befasuese dhe intriguese. Japin shpirtin, pa i dhënë rëndësi përmasave të projektit. Janë të përzemërt, kërkues, ndonjëherë kryeneçë. Janë yje, vërtet. E si të tillë kanë një fuqi ndriçuese që nuk e kisha njohur më parë. Bëjnë që filmi të arrijë një nivel që as nuk e kisha imagjinuar para se të filloja…”, tregon ai.
NGJARJA
Një ngjarje e mbushur me mister, që lëkundet mes besëtytnive popullore, kukudhëve, ekzorcizmit të një prifti ortodoks, që nuk e kishte ndërprerë ritualin, edhe gjatë diktaturës së Enver Hoxhës dhe ngjarjeve reale. Filmi rrotullohet rreth një vr_ asjeje të mistershme, shkaqet e së cilës nuk janë ashtu siç mendohet. Ishin mbushur 20 vjet, kur më 27 shtator të vitit 1997, afër Kishës së Mesopotamit, ndodh një masakër, ku mbeti e vr_ arë edhe një gazetare, Anxhela. Situata nuk është e qetë në Shqipëri. Rënia e firmave piramidale u shoqërua me revolta të përgjakshme.
Gjithçka doli jashtë kontrollit. Njerëzit e zhgënjyer dhe të varfëruar deri në qindarkën e fundit humbën arsyen, shpërthyen depot e armëve. Nuk kishte shtëpi pa armë e arka municioni. Dhe pasojat ishin tragjike. Në këtë tollovi ndodhi edhe vr_ asja e Anxhelinës, e cila ishte vendosur në Vlorë. Çfarë kërkonte ajo në Mesopotam, fshatin e humbur, 180 kilometra larg qendrës së revoltës? Diçka tjetër ka ndodhur.
Historia e pazbardhur e 20 viteve më parë dhe disa xhirime amatore të bëra natën e 27 shkurtit e nxisin Zhylienin, të shoqin e gazetares, të kthehet të Shqipëri, kësaj here vetëm, pa mbështetjen e ndonjë kanali televiziv, të gjejë vr_ asësit e së shoqes. Me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vjetër shqiptarë, ai do të mundohet të deshifrojë regjistrime të vjetra zanore të Policisë dhe besëtytnitë popullore. Derisa frika dhe insinuatat të rizgjojnë terrorin përsër. /Panorama.com.al