Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në interpelancën e thirrur nga opozita e re, ka dhënë detaje mbi ngjarjen e ndodhur në Aeroportin e Rinasit.
“Më keni bërë aq shumë pyetje, sa vetëm po t’i lexojë do më merrni 20 min. Është një ngjarje e rëndë, sepse është episod i përsëritur. Ka marrë të gjithë vëmendjen e duhur të Policisë, pavarësisht dhe ngarkesave të shumta të policisë, për të menaxhuar atë që ka rol kryesor.
Ngjarja ka tentuar që të marrë ngjyrim politk, madje duke e drejtuar drejt absurdit. Ka pasur një gatishmëri të madhe për të ndërtuar skenar se çfarë mund të kishte ndodhur përveç asaj që kishte ndodhur.
Si mund të nxihet më shumë se realiteti, kjo ka qenë qëllimi. Nuk është një cenim i sigurisë së vendit, nuk cenohet siguria nga 5 persona.
Ngjarja ka ndodhur në orën 9 prill 14:45, 5 persona të armatosur kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme parash dhe janë larguar drejt Tapizës. Ngjarja është shumë e njohur, por është një seri dështimesh të disa hallkave.
Me një ligj të miratuar në këtë vend, përgjegjësia i është transferuar një kontraktori privat, unë s’kam qenë kurrë dakord, por ky vendimi është marrë në këtë Kuvend dhe është pranuar 15 vite me radhë dhe askush nuk e ka atakuar asnjëherë faktin bazë që kjo çështje e sigurisë është transferuar në duar private.
Operatori privat ka njoftuat 5 min dhe 21 sekonda me vonesë, policinë e cila e kishte marrë informacionin në rrugë të treta, TIA ka njoftuat ngjarjen 30 minuta pasi ka ndodhur.
Kontraktori privat nuk ka lejuar të futen brenda policinë, se porta përkatëse nuk është hapur nga kompania e sigurisë së aeroportit”, tha Lleshaj.