Pak vetë e dinë se pishat përpara ish-hotel «Dajtit» në bulevardin kryesor të Tiranës numërojnë pak a shumë vitet e Çlirimit.
Ato u mbollën pas muaj pas 29 Nëntorit 1944 me fidanë të vegjël, sipas një plani të studiuar mirë nga pikëpamja e simetrisë dhe e agroteknikës.
Kjo punë me specialistë e punëtorë, kushtoi plot 6000 franga, që janë baraz me 30 000 lekë të sotme.
Kurse parku Rinia përballë tyre është mbjellë në 5 vjetorin e Çlirimit.
Interesante është që ai park ku sot gjendet Bar Taivani dhe luajnë fëmijë e të rritur, është mbjellë brenda një nate, me punë vullnetare.
Kush e sjell këtë lajm? Shkrimtari i njohur Shefqet Musaraj, në gazetën “Mësuesi”, të datës 24. XI. 1961, shkruan:
“…Tamam në atë vit, qe ishte edhe viti i pestë i Çlirimit, ndodhi një gjë e papritur: Më 29 Nëntor 1949, në mëngjes, u dëgjua aty, kundruall hotel «Dajtit», një shushurimë e madhe gjethesh e drurësh, që i përngjante shushurimës së pyjeve.
Njerëzit qëndronin nga pak, thërrisnin, qeshnin dhe shfaqnin habinë e tyre për diçka që zinte syri për herë të parë, për diçka që nuk ua merrte mendja të realizohej, ashtu siç po e shikonin me sytë e tyre, të realizuar brenda një nate me punë vullnetare.
Pishat e hotel «Dajtit», si të zgjuara para kohe nga një gjumë i këndshëm, ngritën kryet, si zakonisht, krenare, e shikuan se si mbi sheshin dikur të zhveshur të Shallvares, për çudi, bleronte tani një pyll madhështor eukaliptesh, plepash e akacjesh që, aty-këtu, ua kalonin në lartësi pishave pesëvjeçare!
Unë shikoja, gjithashtu i mahnitur, herë parkun e porsalindur me drurë aq të rritur, herë pishat e dikurshme dhe me dukej sikur këto nuk e kishin më atë krenarinë e zakonshme, sikur afronin kokën me njëra-tjetrën e bisedonin të shqetësuara. – Ç’është kështu, moj motrani? Ndofta është ëndërr. – Ëndërr, patjetër. Si mund të jetë e vërtetë?!…
Po u ngrys e u gdhi, shkuan ditë e javë dhe prapë karshi pishave bleronte pylli i madh me eukalipte, plepa e akacje”, – shkruan Musaraj.