Një 38-vjeçar i arrestuar dy ditë më parë nga policia e Elbasanit për djegien e dy makinave të parkuara pranë godinës së policisë, rezulton të jetë një zjarrvënës me pagesë nga persona të tjerë, për zbulimin e të cilëve policia është duke hetuar.
Mario Toci, i cili ka edhe një emër të dytë, Eglantin, u arrestua nga policia pasi u zbulua nga kamerat e sigurisë teksa dogji dy makina pranë Policisë së Elbasanit. Më tej nga hetimet u mësua se ai është autor i djegies së 6 makinave të tjera, të gjitha ngjarje të ndodhura në qytetin e Elbasanit. Gazetari i Report Tv, raporton se makinat e djegura janë në pronësi të një ish-deputeti dhe disa biznesmenëve në qytetin e Elbasanit.
Konkretisht, më 9.4 2019, është djegur makina e ish deputetit Hamir Kosta: Më 14.2.2019 është djegue makina e biznesmenit Engjëll Zhidro, më 12.2 2019 i është vënë flaka makinës së pronarit të disa pikave të basteve Ledjon Aliçka, më tej automjetet e Marko Tahirllarit, Aleksandër Ymerit dhe Vasil Bodinit, të gjithë banorë të qytetit të Elbasanit.
38-vjeçari i dënuar më parë për vjedhje, dyshohet se është paguar nga persona të ndryshëm për të kryer djegien e makinave.