Policia e Elbasanit ka reaguar pas publikimit të një statusi nga ish-kryeministri Sali Berisha, ku një person i armatosur ishte futur në ambientet e shkollës “Ali Agjah”dhe ka terrorizuar nxënësit dhe se ngjarja është mbajtur e fshehtë.
Policia është shprehur se ngjarja nuk është mbajtur e fshehtë pasi drejtuesit e shkollës kanë njoftuar menjëherë policinë sapo kanë konstatuar që në oborrin e shkollës është futur një person i panjohur.
Sipas policisë janë shqyrtuar pamjet filmike dhe personi që është futur në ambientet e shkollës , nuk ka kryer veprime të pahijshme apo të kundraligjshme.
Njoftimi i policisë së Elbasanit
Në lidhje me statusin e pubikuar në rrjetin social facebook nga ish-deputeti Berisha, se në shkollën “Ali Agjah”, Elbasan, një person i armatosur dhe në gjendje të dehur hyri në ambientet e kësaj shkolle dhe terrorizoi nxënësit, e Policia e fshehu ngjarjen, sqarojmë se:
Më datë 12.04.2019, rreth orës 10:50, tek shkolla “Ali Agjah” Elbasan, Policia u njoftua nga drejtuesit e shkolles se në oborr hyri një person i panjohur. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbime policore shkuan dhe morën takim me drejtuesit e shkollës dhe mësuesin, i cili kishte kontaktuar me personin që kishte hyrë në ambientet e shkollës.
Drejtuesit e shkollës sqaruan se rreth orës 10:50, mësuesi i përgatitjes fizike konstatoi në oborrin e shkollës një person rreth 50 vjeç, të cilit iu kërkua të dilte dhe pas kësaj ai doli jashtë ambieteve të shkollës.
Policia ka marrë pamjet filmike të shkollës, e nga kqyrja nuk është konstatuar që personi të ketë kryer veprime të pahijshme apo të kundraligjshme ndaj mësuesve apo fëmijeve të shkollës, apo te kishte në duar sende të kundraligjshme.