Pas votimit të rezolutës në Kuvendin e Holandës për rikthimin e vizave për Shqipërinë ka reaguar edhe zëdhënësja e KE, Natasha Bertaud.
Sipas Bertaud, KE ende nuk ka marrë asnjë kërkesë për pezullimin e vizave. Bertaud shprehet, ndër të tjera, se pezullimi i vizave do të kalojë në një procedurë specifike.
“Komisioni është i vetëdijshëm rreth mocionit që kaloi në Kuvendin e Holandës gjatë ditës së djeshme, por ekziston një procedurë specifike për mekanizmin e rikthimit të vizave dhe deri më sot nuk kemi marrë asnjë njoftim nga asnjë shtet anëtar që kërkon mekanizmin e pezullimit të vizave për cilindo nga vendet që përfitojnë nga udhëtimi pa viza “, tha Natasha Bertaud.
Ministri i Jashtëm hollandez Stef Blok u tha ligjvënësve para votimit se nuk po planifikon të bindë Brukselin që të rikthejë vizat për shqiptarët.
Sipas raportimeve në media, lëvizja për rikthimin e vizave është motivuar nga aktiviteti kriminal i grupeve të lidhura me Shqipërinë.