Policia ka zbarkuar sot te ‘Bregu i Lumit’ teksa ka larguar me forcë banorët e shtëpive, të cilat janë parashikuar për t’u prishur në kuadër të projektit të ‘Bulevardit të Ri’.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se forcat e policisë kanë ndërhyrë me forcë duke larguar banorët. Sipas banorëve, policia iu ka mbledhur telefonat me qëllim që ata të mos filmojnë aksionin për prishjen e tyre. Aksioni i prishjes ka nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku janë raportuar edhe konfrontime fizike.
Në aksionin e ditëve më parë, Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë banorët, të cilët kërkuan me ngulm dëmshpërblim financiar para se të rrënohen banesat e tyre.
Partia Demokratike ka dënuar me ashpërsi ndërhyrjen dhe dhunën e Policisë ndaj banorëve, ndërsa veprimet e tyre i ka cilësuar të papranueshme dhe njëherësh kriminale.