Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj, duket se është gjetur në konflikt interesi. Bëhet fjalë për çështjen e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit, Artur Malaj. Malaj u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por u ankimua nga Komisioneri Publik.
Çështja e tij është regjistruar pranë KPA, ndërsa si pjesë e trupës gjykuese është shortuar edhe Natasha Mulaj. Por kjo e fundit akuzohet për konflikt interesi dhe këto akuza janë në dorën e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Sipas BIRN-it, akuzat ndaj kryetares së KPA-së, Mulaj rrjedhin nga një çështje për “Sigurim padie” në Gjykatën Administrative të Apelit, e ngritur kundër Bashkisë Tiranë për kundërshtimin e një lejeje ndërtimi nga shoqëria ‘Construction Management Alliance Albania’ dhe të tjerë. Kjo çështje po gjykohet nga një trupë gjykuese e udhëhequr nga gjyqtari Artur Malaj.
Këtu nis edhe konflikti i interesit. Pala e paditur e akuzon gjyqtarin Malaj për shkelje procedurale në procesin administrativ, që sipas tyre vijnë si pasojë e interesave të këtij të fundit për të kaluar procesin e vetingut si dhe interesave të familjarëve të gjyqtares Mulaj në këtë çështje.
Duke qenë se çështja në KPA e Artur Malajt do të shqyrtohet nga Natasha Mulaj, përfaqësuesja ligjore e gjyqtarit ka bërë një kërkesë për përjashtimin nga gjykimi të kryetares së KPA. Një ankesë i është dërguar edhe ONM, ambasadës së SHBA si edhe Presidentit të Republikës.
I pyetur nga BIRN mbi ankimin e marrë, ONM tha në një përgjigje me shkrim se akuzat ndaj gjyqtares Mulaj po shqyrtohen. “Vëzhguesit ndërkombëtarë në Tiranë konfirmojnë që çdo akuzë që merret nga ONM kundër anëtarëve të komisioneve të vetingut analizohet me kujdes rigoroz, në mënyrë që të vlerësohet nëse përmbush kushtet për të hapur një hetim disiplinor – sipas nenit 16 dhe 17 të ligjit të vetingut”, tha ONM.
BIRN ka kontaktuar edhe me Natasha Mulajn, por ajo mohoi të kishte dijeni për konfliktin e interesit. “Znj. Natasha Mulaj nuk është në dijeni të ndonjë konflikti interesi, mes saj apo familjarëve, me subjektin e rivlerësimit Artur Malaj”, tha zëdhënësja e KPA. Tani mbetet të pritet çfarë vendimi do të japin ndërkombëtarët./Sot