Pavarësisht se në vijimësi, protesta e tretë kombëtare e opozitës ishte masive dhe pati jehonë ndërkombëtare. Kështu deklaroi sot në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, Fatos Lubonja.
“Protesta kishte një pjesëmarrje masive, solli edhe jehonën ndërkombëtare dhe konfirmoi që këtu kemi një problem, një krizë që duhet zgjidhur. Debati mbetet i hapur se si duhet zgjidhur. Megjithatë mazhoranca do ta injorojë që kemi krizë për të cilën përgjegjëse është vetë ajo”,- tha Lubonja.
Një problem që vuri në në dukje analisti ishte përdorimi i gazit në një kohë kur siç tha ai, rrezikshmëria ishte e ulët.
“Për mua shqetësues është tejkalimi i përdorimit të dhunës ndaj protestuesve janë dhunuar edhe gazetarët, pra kemi një nervozizëm në rritje të mazhorancës. S’ka pasur gjëra aq të rënda sa të kesh 40 të arrestuar. Problemi i madh i kësaj qeverie është pandjeshmëria ndaj atyre gjërave që janë dukshëm problematike në mënyrën se si qeveriset vendi. Protesta është mjeti i fundit, pasi ka pasur gjëra të tjera që kanë ndodhur para protestave që mund të trondisnin ndërgjegjen e mazhorancës.
Ndërsa protestat duan ta tronditin së jashtmi. Se sa mund ta çojnë vendin në drama kjo mbetet për tu parë, prirja e pushtetarëve tanë është të çojnë vendin nga drama në dramë që të ruajnë karrigen e tyre:,- tha Lubonja duke shtuar se: “ Përdorimi i gazit në mënyrë jo selektive, pra kur në shesh mund të ketë edhe gra, fëmijë njerëz që nuk ushtrojnë dhunë edhe gazetarët është shumë i dëmshëm dhe i pamoralshëm. Policia të reagojë me mjetet e veta të forta ndaj pakicës, por jo me gaz ndaj shumicës.
Vihet re një teprim, demonstruesit treguan që nuk kishin synim të çonin deri në fund një betejë për jetë a vdekje ,por një betejë thjesht simbolike, si në rastin kur u ngjitën tek shkallët. Pra, s’ka pasur sulme agresive që të vërë në rrezik jetën e policëve. Gazi, siç e kam parë unë është përdorur në mënyrë të tillë masive me qëllim që ta shpërndajë turmën fare. Në këtë kuptim është metodë e ekzagjeruar dhe e rrezikshme, plus me pasoja për njerëzit”,- sqaroi ai.
Lubonja tha më tej se hapi i parë për zgjidhjen e krizës ishte largimi i Edi Ramës. Ai shtoi se një qeveri teknike nuk mund të diktohet vetëm nga opozita, por duhet diçka e përbashkët.
“Ikja e Edi Ramës është hapi i parë i zgjidhjes së krizës. Kjo krizë është shumë e thellë, krizë që ka të bëjë me raportin e forcave politike, konflikti mes partive, kriza e ndërtimit të një sistemi ku një pakicë ka kapur shtetin, grabit në mënyrë arrogante pasurinë e shumicës, pra, ka të bëjë me sistemin që duhet ndryshuar. Duhet larguar Edi Rama që përdori pakicën e të fortëve, kriminelëve për të sunduar dhe kontrolluar gjithçka në këtë vend. Ndoshta një qeveri teknike, por nuk mund të bëhet qeveri teknike e diktuar nga opozita, duhet diçka e përbashkët si një konsensus për të dalë nga situata”,- vijoi ai.
Është për të ardhur keq, tha më tej analisti, që edhe sot pas gati 30 vitesh shqiptarët brohorasin në sheshe; E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Ka ardhur koha tha ai që populli shqiptar të ndërgjegjësohet si në Serbi, psh dhe të përdore parrullën: Shteti jemi ne. “Ka ardhur koha që kjo parullë të kuptohet nga populli. Shteti janë gjithë ata protestues e populli që po vuan nga ky sistem”.
Sa për vëmendjen e shtuar të mediave ndërkombëtare për protestat në Ballkanin Perëndimor, Lubonja tha: Padyshim që Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës. Këto protesta ndihmojnë njëra -tjetrën për ta bërë sa më europiane kauzën. Edhe Italia e ka pasqyruar protestën. Kjo tregon që është rritur ndërgjegjësimi në Europë se në këto vende ka diçka që nuk shkon. Pra, problemi i madh që ka pasur në këto vende është se nuk përbënin lajm. Dihej vetëm që drejtoheshin edhe nga pro europianë si Vuçiç, Rama e Gjukanoviç. Por fakti është që Europa është kujtuar gjithmonë vonë për ne”,- tha më tej Lubonja.