Pas pezullimit nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, ka reaguar edhe Partia Demokratike.
Sipas PD-së, ky veprim është tregues i qartë i cënimit të autonomisë universitare.
Selia blu thekson se pezullimi dhe kërkesa e MAS-së drejtuar presidentit të vendit, Ilir Meta, për ta shkarkuar kreun e Universitetit të Tiranës është tërësisht antikushtetuese.
Reagimi i plotë:
PEZULLIMI I REKTORIT TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS CËNON RËNDË AUTONOMINË UNIVERSITARE
Atë që Rama nuk arriti të bënte para 3 vjetësh me Shullazin, ka vendosur ta bëjë tani nëpërmjet Ministres së Arsimit Besa Shahini. Pezullimi dhe kërkesa për shkarkim e Rektorit të Universitetit të Tiranës është antikushtetuese! Ajo bie ndesh me nenin 57 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 3 të ligjit për Arsimin e Lartë, që garantojnë #Autonominë #Universitare.
Edi Rama nuk shqetësohet aspak për ligjet që shkel vetë çdo ditë ai dhe ministrat e tij për të vjedhur qytetarët dhe për të dhunuar të drejtat e tyre.
Edi Rama është hipokrit. Shqetësimi i tij i vërtetë nuk është shkelja e ligjit, sepse ai e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë funksionale. Edi Rama kërkon të uzurpojë çdo pushtet, si çdo i ngjashëm i tij autoritarist, i korruptuar dhe arrogant. Edi Ramës nuk i intereson aspak mirëfunksionimi i universitetit më të madh në vend, sepse nuk e ka pasur asnjë moment arsimin prioritet.
Qëllimi i vetëm është largimi me të gjitha mjetet dhe format i çdokujt që atij i bëhet pengesë dhe më tej, interesi i tij është të marrë kontrollin edhe të Universitetit më të madh në vend, duke vënë në krye militantë politikë. Urdhri i Ministres Shahini për pezullim të rektorit Mynyr Koni minon #autonominë #universitare dhe dëmton rëndë këtë institucion kaq të rëndësishëm për jetën akademike në vend.
Autonomia universitare duhet mbrojtur me çdo kusht për të mos e lënë edhe Arsimin e Lartë, edhe jetën akademike në duart e një Kryeministri që kontrollon gjithçka tjetër: Gjykatat, prokurorinë, mediat dhe të ashtuquajturën shoqeri civile. Thirrja ime është për studentët dhe pedagogët që të bëj ë rezistencë kundër të keqes me emrin Edi Rama, qe e ka burimin tek blerja e votës dhe mosdhënia e llogarisë.
/a.rada