Gjatë protestës së opozitës tek Parlamenti, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është shprehur se Edi Rama ka dështuar për çdo gjë dhe nuk ka arritur as të ndërtojë një familje. Për Kryemadhin shkak i situatës ku ndodhet sot vendi është arroganca e Ramës. Madje, kryetarja e LSI-së e ka sfiduar, duke thënë se meqë Rama krenohet se ka shumicën, ta çojë vendin në zgjedhje.
Deklarata e plotë
Nuk ka asnjë polic të dhunuar nga protestuesit sot. E vetmja gjë që dhunohet janë llamarinat për të cilët njerëzit shprehin protestën e tyre, sepse janë qëndrestarë. Mund t’ju them që i vetmi njeri që ka dështuar në jetë është Edi Rama. Ka dështuar më gjënë më të rëndësishme, me familjen, sepse ai nuk do të ndërtojë një familje dhe ndërton gjithmonë gjëra për të qenë fasadë e tij. Ka dështuar në politikë gjithashtu. Ka dështuar për të krijuar një familje që do të thotë për familjen politike të partisë së tij.
Sepse unë nuk gjykoj Edi Ramën se sa herë do të martohet. Njeriu para Zotit martohet vetëm njëherë pastaj se sa martohet më pas është punë e tij, por ajo çfarë dua të them është që ka dështuar në krijimin e partisë së tij politike. Edhe kur e mori Partinë Socialiste e shpërbëu dhe e bëri sot që të mos ketë asnjë socialist brenda saj.
Ka importuar lloj-lloj sharlatanësh që nuk kanë një diplomë 3-vjeçari bachelor dhe jo më të thuash që mund të kenë arsyen ose vizionin për të bërë politika. Ai ka dështuar me premtimet e tij gjithashtu kur u ka premtuar shqiptarëve 300 mijë vende të reja pune, ka detyruar 500 mijë shqiptarë që të largohen nga Shqipëria. U ka premtuar shqiptarëve që do t’ua ulte taksat, ua ka rritur ato.
Përkundrazi edhe gjësë së gjallë u ka vënë taksë për stallë ku rrinë. Nëse në çdo vend të botës jepet subvencion për gjënë e gjallë. Edi Rama ka vendosur taksë 1400 lekë një lope. Pra ky është Edi Rama, ka dështuar në çdo gjë por mbi te gjitha ka dështuar në marrëdhënien e tij me qytetarët e tij. Nëse ky njeri mendon se dështimi ynë është fatkeqësi për shqiptarët, ne ndoshta kjo ishte dhe arsyeja që dogjëm mandatet, për të treguar se kush ka dështuar vërtetë.
Ka dështuar Edi Rama apo kemi dështuar ne që duam të jemi njëlloj si qytetarët. Ne sot jemi njësh me qytetarët, nuk jemi pjesë e atij Parlamenti që nuk përfaqëson asgjë veçse një grup njerëzish që vetëm votojnë projektligje të përgatitura nga oligarkët dhe ngrenë kartonin e tyre. Nuk përfaqësojnë votuesit e tyre. Nuk përfaqësojnë familjet e tyre politike dhe nuk përfaqësojnë mbi të gjitha interesat kombëtare.
Ne sot nuk jemi këtu përballë për t’i treguar njerëzve kush jemi ne. ne kemi ardhur si qytetarë, i kemi ftuar njerëzit. Sot i kemi ftuar ne, nesër mund ti ftojnë studentët, pasnesër mjekët etj. Ajo që është shumë e rëndësishme është që për herë të parë Shqipëria shikon protestë kaq të madhe. Protesta më e madhe, e kam thënë, e them, do ta them, protestat më të mëdha në Shqipërinë më të rrudhur në 30 vite tranzicion.