Në prag të protestës në mbrëmjen e sotme, lideri PD, Lulzim Basha u ka bërë thirrje, përmes një videoje, gjithë qytetarëve të Shqipërisë që t’i bashkohen protestës së opozitës. Në thirrjen e tij thuhet, se „Shqipëria është në rrezik”, „Korrupsioni ka mbërthyer shtetin”, “Qeveria është bërë një me krimin”. Basha ftoi qytetarët t’i bashkohen opozitës për “Shqipërinë si gjithë Europa”, thirrje e Lëvizjes Studentore, të para 29 viteve, që solli përmbysjen e regjimit të kaluar.
Burime nga PD kanë pohuar se protesta e sotme do të ketë surpriza, por pa cilësuar se cilat do të jenë ato.
Schütz – Çdo element dhune përbën vijën e kuqe
Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz bëri thirrje të premten, (12.04.) në prag të protestës së opozitës, që ajo të jetë ”paqësore, pasi ҫdo element dhune përbën vijë të kuqe”. Thirrjet për shmagien e dhunës kanë karakterizuar qëndrimin e BE, trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare të pranishme në Tiranë që kanë vënë në dukje njëzëri të drejtën themelore të protestës në demokraci, por pa ushtruar asnjë akt dhune dhe shkatërrimi.
Për të shmangur aktet e mundshme të dhunës në protestën e së shtunës që është paralajmëruar se do të fillojë në orën 18.00 dhe do të zhvillohet kur të ketë rënë mbrëmja, janë angazhuar rreth 1300 efektivë të policisë së shtetit, të përqëndruar në mbrojtje të godinës së Kryeministrisë, ku në 2 protestat e mëparshme protestuesit kryen akte dhune dhe shkatërrimi.
Faktori ndërkombëtar i kërkon opozitës të rikthehet dhe të riangazhohet në procesin politik, duke marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Mesazhi më i freskët, drejtuar opozitës për të lënë sheshet dhe rrugët dhe marrë pjesë në procesin politik erdhi më 10 prill edhe nga SHBA, nga Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit, Mettheë Palmer, që vizitoi Tiranën dhe i quajti bojkotin e zgjedhjeve dhe djegien e mandateve parlamentare “instrumenta thellësisht në kundërshtim me praktikat demokratike” dhe nxiti opozitën të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershori.