Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek, Alexis Tsipras janë takuar në Dubrovnik, në kuadër të samitit të 8-të të vendeve të Europës qëndrore, asaj juglindore si dhe Kinës, të njohur si iniciativa 16+1.
Pritshmëritë nga ky takim janë të larta për rezultate pozitive mbi bisedimet që lidhen me integrimin e Shqipërisë në BE si dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull mes Tiranës dhe Athinës, sidomos të kufirit detar dhe pronave të minoritarëve grek në Himarë, shkruajnë mediat helene.
Ky takim vjen pas marrëdhënieve të tensionuara mes dy vendeve pas përshkallëzimit të ndjeshëm në vijim të deklaratës së kryeministrit grek në samitin e Bukureshtit i cili u shpreh pesimist për perspektivën europiane të vendit tonë, duke nënkuptuar kështu se Greqia nuk do ta mbështesë Shqipërinë si pasojë e disa veprimeve që cënojnë pronat e minoritetit grek.