Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për të çuar për gjykim dosjen “Babalja”, ku i pandehur është ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, gazetari, Jetmir Olldashi dhe Alfred Alizoti.
Në një deklaratë për median Basha është zotuar sot se do t’i bëjë vetingun publik gjytarit, Kastriot Gramshi dhe dy prokurorëve të çështjes, të cilët sipas tij po mbahen peng nga pushteti.
“Kupola e shtetit është e përfshirë në skandal. Alfred Alizoti ka pranuar të bëjë 1 vit burg për të mbrojtur kupolën e shtetit, e cila është e zhytur deri në fyt në afera korruptive dhe skandale.
Deputeti i PD Ervin Salianji ka bërë publike për mediat fakte të rënda sesi Agron Xhafaj bën trafik droge, zbuloi dëshmitarin e rremë Alfred Alizotin, që bën ndere për kupolën e korruptuar të shtetit.
Prokuroria vetëm bën sehir dhe nuk vepron për zyrtarët e lartë e shtetit. Kjo sepse Prokuroria është kapur politikisht. Donika Prela dhe prokurorët e tjerë kanë marrë si të pandehur Salianjin, gazetarin Olldashi dhe denoncuesit e së keqes, e jo keqbërësit.
Sot të pandehur për afera të tmerrshme kriminale shtetërore duhet të ishin Taulant Balla, Fatmir Xhafaj, zyrtarë të SHISH. Edi Rama ka marrë në mbrojtje Ballën, Xhafajn, zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit që dalin në përgjime duke bërë favore për kriminelë me damkë dhe gradohen nga kriminelët.
Edi Rama ka marrë në mbrojtje dhe ka promovuar personat e përfshirë në këtë krim të rëndë shtetëror. Sot prokurorët e çështjes dhe një gjyqtar janë pengje të vetingut, pra çuan në gjykatë denoncuesit e krimit.
Gjyqtari, Kastriot Gramshit dhe dy prokurorët se nuk do t’ia hedhin vetingut për të varrosur dosjet e krimit. Vetingu do t’ju behet publikisht nga PD-ja, për këtë kanë zotimin personal si kryetar i opozitës dhe kryetar i qeverisë nesër”, tha Basha.