Dështon loja e presidentit duke përdorur grabitjen e Rinasit si kapital politik. Të mërkurën dhe të enjten, Presidenti nisi një valë sulmesh ndaj qeverisë, si për grabitjen ashtu dhe për vendosjen e ushtrisë. Por a i shkon presidentit dhe LSI që të sulmojnë qeverinë për aeroportin? Gazeta po publikon detaje se si Ilir Meta dhe ish-ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, janë përgjegjësit kryesorë të asaj që ndodhi të martën, por dhe gjendjes së sigurisë në Aeroport.
Në vitin 2016 koncesioni i Rinasit do të merrte fund, pasi kontrata e qeverisë me gjermanët mbaroi. Por Haxhinasto, ministër i emëruar nga Ilir Meta, bëri një manovër duke zgjatur kontratën koncesionare dhe po ashtu legjitimoi që aeroportin ta merrnin në dorë kinezët. Por çfarë ndodhi realisht dhe pse Meta e Haxhinasto janë përgjegjës të situatës se ku ndodhet sot aeroporti i vetëm në vend? Në atë kohë u tha se në këmbim të shtyrjes së kontratës me dy vite, autoritetet shqiptare do të mund të hapnin aeroportin e Kukësit.
Ndërsa për çdo aeroport tjetër të ri që shteti shqiptar do të dojë të ndërtojë, TIA do të përfitojë 6 muaj të tjerë shtesë në kontratë për çdo vit, nga dita kur ai nis punën deri në mbarim të kontratës së TIA. Me marrëveshjen e re, të gjitha palët dolën të fituara, si gjermanët e TIA, ashtu dhe kinezët e “Everbright Global Airport and Investment Fund”.
Edhe Haxhinasto u vetëdeklarua i fituar në këtë mes. Gjermanët përfituan zgjatjen e kontratës me 2 vite të tjera, (afro 20 milionë USD shtesë) çka i ndihmoi në shitjen e saj menjëherë tek kinezët. Këta të fundit përfituan ekskluzivitetin e aeroportit më të madh e të vetëm për momentin për një afat të pacaktuar (deri në gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të investuar miliona euro në aeroportin e Kukësit).
Manovrat e LSI
I gjithë ndryshimi i kontratës u bë vetëm në funksion të TIA dhe kinezëve, të cilët kishin hyrë në negociata për shitjen e koncesionit, pasi për sa kohë që aeroporti i Kukësit nuk ishte gati, kontrata vijonte përtej 2 viteve. Ministri Haxhinasto nuk e mohoi ato ditë që ishte në dijeni të negociatave mes palës kineze dhe gjermanëve të TIA, madje pohoi publikisht se i kishte takuar dhe vetë kinezët, çka shton dhe më tej dyshimet mbi përfituesit e vërtetë të kontratës së re për aeroportin e Rinasit.
“Kinezët janë një kompani ndërkombëtare serioze dhe kanë investime të mëdha në SHBA. Jam takuar me ta dhe kishin një përqasje krejt tjetër për infrastrukturën aeroportuale në Shqipëri. Ata, në prani të përfaqësuesve të koncesionarit aktual të Rinasit u shprehën që ta bëjmë marrëveshjen dhe të ngremë edhe segmentin low cost në Rinas”, deklaroi pak ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Edmond Haxhinasto në “Top Story”, në atë kohë.
Shitja e kontratës
Koncensioni i Rinasit ju shit për rreth 90 milionë dollarë kompanisë kineze “Everbright Global Airport and Investment Fund”. Kjo e fundit është pjesë e kompanisë “China Everbright”, e mbështetur nga shteti kinez dhe e specializuar në menaxhim asetesh me një portofol të gjerë investimesh. Në një intervistë për “Hong Kong Economic Journal”, drejtori ekzekutiv i “China Everbright” pati deklaruar se objektiv i kompanisë është të zhvillojë në to pjesën logjistike të transportit ajror të mallrave.
Ndërsa vetë drejtori ekzekutiv i TIA-s, Rolf Castro-Vasquez kur pranoi interesimin kinez, tha se shitja synon zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës së aeroportit. Por sot duket qartë se sa kanë investuar kinezët. Pra, për sa kohë koncesioni ishte në dorë të gjermanëve, Rinasi ishte në rregull, por kalimi te kinezët, e ndryshoi situatën dhe kjo u bë falë Haxhinastos dhe Metës.
Haxhinasto injoroi SHISH për sigurinë
Në korrik të vitit 2016 ndodhi një grabitje e ngjashme me atë të së martës. Por nëse në atë kohë do ishin marrë masa, atëherë gjithçka do shmangej. Përgjegjësia është e Metës dhe Haxhinastos. Në atë kohë, SHISH ka dërguar dy shkresa të ndryshme në drejtim të Ministrisë së Transportit dhe Aviacionit Civil.
Në shkresë, SHISH bënte me dije se në rrugë operative ishte njohur me përfundimet e tre testimeve të kryera në aeroport, ku problematikat e konstatuara, cenonin drejtpërdrejt sigurinë e aeroportit, duke e ekspozuar ndaj sulmeve me natyrë terroriste apo që kishin qëllim kryerjen e veprave të tjera kriminale. Por edhe pse ish-ministri Haxhinasto është njoftuar disa herë për këtë gjë ai nuk ka bërë asnjë lëvizje. Por në bazë të kësaj, Ministrisë së Transportit i lindte e drejta që të bënte dhe ndërprerjen e marrëveshjes me kompaninë.
Sipas kontratës së nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe TIA, nëse nuk plotësohen kushtet e sigurisë pala shqiptare mund ta ndërpresë bashkëpunimin. Edhe në këtë rast ish-ministri i Transporteve këtë lëvizje duhej të kishte bërë, por përkundrazi ai i ka mbyllur të dy sytë. Pra duket se pjesë e përgjegjësisë është dhe presidenti, i cili sulmon sot qeverinë.
Kliti Topalli