Në vitin e dhjete janë të gjithë të lirë. Ata që gabuan për arsye teknike, i ka nxjerr gjykata, ata që firmosën për arsye politike, nuk u dënuan kurrë, ndërsa ata që e nisën biznesin në emër të pushtetit të Familjes, ende nuk janë pyetur. Historia e tragjedisë së Gërdecit është nga ato ngjarje që ndajnë në dy pjesë historinë e një shoqërie dhe një pushteti.
Ngjarje të tilla fiksojnë kufirin mes pushtetit të krimit në politikë dhe shoqërive të lira, por ndajnë dhe kufirin mes lirisë dhe dinjitetit brenda një grupi politik dhe nënshtrimit para autoritarizimit dhe duarve të përgjakuara të një familje në pushtet.
1. Sali Berisha
Historia e fshehjes së këtij krimi ka nisur pak minuta pas tragjedisë në zyrën e kryeministrit Sali Berisha. I njoftuar për tragjedinë, ai ka nisur me kujdes fshehjen e provës së parë dhe më të rëndë kundër tij, praninë e baxhanakut të vet, tashmë si viktimë në këtë tragjedi. Komunikata e parë për shtyp e tij përmendte emrin e baxhanakut, por të ndryshuar, nga Muhamet Hoxha në Mehmet Hoxha. Në pamjen filmike të transmetuar publikisht dhe të lexuar me zërin e tij, vërehet një pauzë para se të përmendë emrin dhe me qetësi e lexon Mehmet në vend të emrit Muhamet.
“Deri tani janë identifikuar emrat e 3 viktimave: Rajmonda Tudi, 40 vjeç, Mehmet Hoxha, 59 vjeç, Jetmir Kolloshi, 19 vjeç, ndërsa dy nga viktimat janë ende të paidentifikuara. 4 prej tyre janë gjendur në vendin e shpërthimit dhe një tjetër më tutje”.
Përpjekja e tij që në momentet e para të tragjedisë për ta devijuar të vërtetën larg tij dhe familjes se tij, ishte dhe mbeti linja politike qe po varros ketë të vërtetë.
Këtë “ngatërresë të qëllimshme emri”, Berisha e përdori dhe dy ditë më pas në sallën e parlamentit të Shqipërisë. Edhe pse familja e tij ishte familjarizuar me tragjedinë, edhe pse gruaja e tij Liri Berisha dhe dy fëmijët e tij ishin në ceremoninë e varrimit të baxhanakut të tij, ai vazhdonte të sillej sikur nuk e njihte Muhametin.
Berisha, një bashkëshort shembullor dhe i dhënë pas lidhjeve familjare të gruas së tij deri në detaje, po përpiqej të paraqitej para shqiptarëve ashtu siç nuk është, si një njeri që nuk njeh baxhanakun e vet.
2. Liri Berisha
Përpjekjet për ta mbajtur larg familjes së tij këtë histori, i zbulon pa dashje gruaja e tij në intervistat e saj publike. Liri Berisha bëri tentativën e parë për ta rrëfyer gabim këtë histori.
Në një intervistë dhënë gazetës “Panorama”, në datën 15.04.2008, zonja Berisha thotë se ajo dhe i biri i saj nuk ia kishin treguar Sali Berishës faktin që ai kishte një baxhanak, që punonte në Gërdec dhe që ishte nga të vrarët mes viktimave.
Ja si e përshkruan ajo momentin kur është ndjerë keq që Berisha nuk dinte gjë për baxhanakun. “Problemi ishte se ai nuk pati rast ta takonte asnjëherë. Ata (motra me të shoqin), kishin vetëm tre muaj që kishin ardhur. Saliu lexonte emrin aty dhe unë thosha: “E zeza, si nuk ia kemi thënë!” Ato kohë kishim trevjetorin e vdekjes së mamasë dhe kishim menduar që ta linim për më vonë prezantimin familjar me njerëzit e familjes. Isha unë ajo që ia caktova si detyrë tim biri t’ia shpjegonte situatën” (“Panorama”, 15 prill 2008).
Shpjegimi i zonjës Berisha ka disa mangësi thelbësore. Mangësia e pare ka të bëjë me vetë imazhin e familjes Berisha dhe marrëdhëniet perfekte që ata kanë si çift. Çifti Berisha shquhet për raporte shumë të sinqerta me njëri-tjetrin dhe marrëdhënie shumë të mira. Në një raport të tillë familjar, që kurrsesi s’mund të besojmë se është hipokrit, nuk mund të ndodhë që zonja Berisha të mos i ketë folur asnjëherë burrit të saj për baxhanakun, i cili po punonte në një punë që e kishte rekomanduar djali i tyre. Por hijet e dyshimit rriten më poshtë, kur zonja Liri Berisha tregon se si ka mësuar që kunati i saj po punonte në Gërdec. “Kur një ditë shkojmë në varreza te prindërit, e pyes motrën nëse i shoqi kishte filluar punë dhe ajo më tregoi se po punonte diku afër Marikajt. Kur e pyes se çfarë bën, ajo mu përgjigj: “Mban ca arka municionesh”. Është i kënaqur me punën? – e pyeta. “Jo dhe aq, mban ca arka, por do të rrijë veç pak, sa të gjejë një punë tjetër më të mirë”. Në kohën që vdiq, kishte marrë vetëm dy rroga”. (“Panorama”, 15 prill 2008).
Kjo deklaratë e zonjës Liri Berisha bie ndesh me deklaratat e motrës së saj, Vjollca Hoxha, (Rama) e veja e Muhamet Hoxhës vrarë në Gërdec. Zonja Hoxha, e cila duket se ka qenë në periferi të përfitimeve nga pushteti i kunatit të saj, e tregon ndryshe historinë. Në një intervistë në “Gazeta Shqiptare” më 15 qershor 2008 ajo thotë se burri i saj ishte kthyer në Shqipëri që në muajin nëntor, kurse ajo vetë që në fillim të vitit 2007, dhe jo siç thotë Liri Berisha, “ata (motra me të shoqin) kishin vetëm tre muaj që kishin ardhur”. Vjollca Hoxha (Rama), motra e Liri Berishës, në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, rrëfen se ishte kthyer në Shqipëri në qershor të 2007 për të vizituar familjarët, dhe se në Shqipëri e mbante një operacion që duhej të kryente, pasi kishte këputur meniskun. Më pas kishte ftuar dhe Muhametin të kthehej në Shqipëri, derisa të përfundonte operacioni.
Nga ana tjetër, të dy motrat nuk bien dakord për faktin se a kishin dijeni ato për punën që bënte i ndjeri Muhamet Hoxha. Vjollca tregon se nuk e dinte që bashkëshorti i saj punonte në një fabrikë demontimi të armëve: “Po si mendoni ju, që po ta kisha ditur, do lejoja që im shoq të punonte aty? Unë me të vërtetë s’jam e pasur, kam punuar si gjithë shqiptarët e tjerë nëpër Evropë, tri punë në ditë, nga kuzhiniere te pastruese, por nuk isha duke vdekur nga uria që të lejoja që im shoq të punonte aty, në mes të rrezikut”, thotë gjatë intervistës së saj Vjollca Hoxha (Rama). (“Gazeta Shqiptare”, 15 qershor 2008).
Ndryshe nga kjo, zonja Liri Berisha në intervistën e saj thotë: “Kur e pyes (motrën) se çfarë bën (burri), ajo m’u përgjigj: “Mban ca arka municionesh””. (Gazeta “Panorama”, 15 prill 208). Këto lajthitje të zonjës Berisha në intervistën e saj publike për Gërdecin dëshmojnë se ajo, ose nuk është e sinqertë me opinionin publik, ose nuk ka qenë e sinqertë me motrën e saj dhe bashkëshortin e saj, Sali Berisha.
Motra e saj provon se ka qenë me burrin në Shqipëri prej vitit 2007 dhe se nuk e ka ditur se burri i saj punonte mbajtës arkash municionesh. Dëshmitë rreth Gërdecit dhe hetimet e bëra nga prokuroria provojnë në të vërtetë që Muhamet Hoxha nuk mbante arka, por numëronte arka dhe ishte një lloj përgjegjësi në këtë punë.
3. Shkëlzen Berisha
Ndërkohë që Berisha gënjente publikisht për emrin e baxhanakut të tij, duke shpresuar se shqiptarët nuk do ta mësonin këtë të vërtetë, i biri i tij, Shkëlzen Berisha, fliste në telefon me Mihal Delijorgjin. Tabulati i zbardhur prej Prokurorisë provon se Shkëlzen Berisha ka folur në orën 12:48 minuta në telefon me Mihal Delijorgjin. Biles nëse i hedh një sy tabulateve të Mihal Delijorgjit, shikon se njerëzit më të afërt me të cilët ai ka ndarë shqetësimin për tragjedinë që ndodhi në tridhjetë minutat e para janë gruaja e tij, kunati, dhe Shkëlzen Berisha.
Shkëlzen Berisha mohoi në fillim se ka pasur telefonata apo njohje me Delijorgjin, por pas publikimit të tabulatit, nuk bëri më komente.
Pra, siç shihet, në orët e para të tragjedisë kemi pasur një përfshirje direkt te familjes së kryeministrit për të fshehur rrethanat që lidhnin ata me këtë histori.
4. Fatmir Mediu
Po si është përfshirë djali i kryeministrit në këtë histori? Është e vështirë ta ndash ku mbaron të qenit e tij si pronar real i këtij biznesi dhe ku ka qenë thjesht ndërmjetës. Ata që e njohin nga afër para shpërthimit, dëshmojnë se ai fliste hapur për këtë biznes, biles shpesh i shqetësuar që administrata e babait të tij nuk e ndihmonte sa duhet të bënte dokumentacionin gati.
Shoqëria e tij me Fatmir Mediun në ato muaj ka qenë publike. Ata ishin bashkë në zyrë, në Sheraton, në makinë, në restorant. Sipas dëshmive që dalin nga blloku i sekretares së Ministrit, rezulton që Shkëlzen Berisha për një periudhë të shkurtër të ketë qenë aty mbi 50 herë.
Këto blloqe autentike argumentojnë çdo kundërshtim që mund të vije në vazhdim në lidhje me përfshirjen tashmë të provuar të zotit Berisha në aferën e Gërdecit. Këto dy blloqe kanë të dokumentuara dhe të faktuara të gjitha vizitat “për kafe” që ka bërë në zyrën e Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, të Shkëlzen Berishës. Të gjitha takimet kanë të shënuara datat përkatëse dhe personat përkatës.
Nga marsi 2007 deri në mars 2008 zoti Shkëlzen Berisha de facto ka pasur një zyrë të tijën në institucionin e Ministrisë së Mbrojtjes. Pesë nga shume bisedat që janë bërë mes zotit Shkëlzen Berisha dhe drejtuesve te tjerë të Ministrisë duke përfshirë dhe Ministrin e Mbrojtjes janë incizuar me gadget regjistrues nga dy prej të pandehurve, njeri prej të cilëve ndodhet në gjendje arresti, por këto materiale janë zhdukur dhe nuk i janë dorëzuar prokurorisë.
5. Aldo Bumçi
Lobimi i tij në këtë heshtje shihet qartë edhe tek mënyra se si ka raportuar Ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, në adresë të tij për komentet e vendimit të qeverisë që do t’i hapte rrugë demontimit. Ky është dhe fakti më komprometues që lidh direkt djalin e Kryeministrit me këtë biznes, ku ministrat janë thjesht ushtarë raportues të tij.
Nga faksi i Ministrisë së Drejtësisë në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes, Bumçi ka nisur komentet e vendimit në një kopje për Shkëlzen Berishën. Edhe pse tri dite më parë e kishte nisur shkresën zyrtarisht, një fotokopje të saj ka bërë kujdes t’ia nis në një zyre të asaj ministrie ku Shkëlzen Berisha ishte bërë familjar, me faks. Edhe pse Bumçi e Berisha u përpoqën ta përgënjeshtrojnë faktin, sekretarja e Bumçit e konfirmoi atë në prokurori.
6. Rrahman Selmanllari
Një tjetër dëshmi e fortë që Shkëlzen Berisha ishte pronari real këtij biznesi, ishte Rrahman Selmanllari, një mik i vjetër i tij, i cili e përdorte shpesh si mbulesë e veprimeve të tij si sekser.
I thirrur nga prokuroria, Rrahman Selmanllari pranon se ka miqësi me Shkëlzen Berishën, por mohon të ketë lidhje me Gërdecin.
Dëshmia e tij është e rreme, por ai nuk është marrë i pandehur për këtë. Së pari kemi dëshminë e kunatit të tij që punonte në atë që quhej “Grupi hije” në Gërdec dhe që ishte një grup special që nuk i jepte llogari askujt.
Pra dëshmia e Selmanllarit që nuk ka lidhje me Gërdecin, dhe që nuk njeh askënd që punon aty, hidhet poshtë nga dëshmitë e njerëzve të tij që e pranojnë se janë punësuar aty për shkak të tij. Ekziston një dokument që provon se Rrahman Selmanllari ishte i autorizuar i kompanisë amerikane SAC që po instalonte fabrikën e demontimit.
Njeriu i Shkëlzen Berishës ishte personi kyç që drejtonte gjithë punën në Gërdec dhe ende sot nuk është thirrur nga gjykata për dëshmi të rreme. Po ashtu nuk është thirrur as nga prokuroria, as nga gjykata Shkëlzen Berisha.
Nuk janë thirrur në prokurori as pronaret e firmës Trans Digging Construction, që është firma e cila ka kryer punimet për ndërtimin e fabrikës së Gërdecit.
Pronarë të kësaj firme janë Delijorgji, vajza e Fahri Balliut dhe dy vëllezër me mbiemër Mata.
Kjo kompani ka vepruar veç të tjerash pa leje ndërtimi dhe me arrogancë në prishjen e ndërtesave ushtarake çfarë tregon se ka pas mbrapa mbështetje të fortë politike. Aksionerët e saj nuk u thirrën asnjëherë nën hetim, duke u injoruar kështu zanafilla e këtij projekti politik.