Janë publikuar foto të pasaportës greke të Admir Muratajt, njërit prej grabitësve të vrarë më 9 Prill 2019 gjatë grabitjes së miliona Eurove në Rinas.
Në pasaportën greke që zotëronte, Admir Murataj ka patur identitet tjetër. Ai quhej Christos Papadias. Sikurse vihet re në foto, në maskën e silikonit që mbante gjatë grabitjes në aeroportin e Rinasit më 9 Prill, Murataj kishte “kopjuar” identitetin e tij të para disa viteve, kur kishte marrë pasaportën greke.
Më pas, ai kishte ndryshuar pamje, sikurse duket në foton tjetër. Pamja e tij me flokë është e vetmja fotografi publike, pasi është bërë në momentin kur është arrestuar në Greqi për disa grabitje.
Megjithatë, edhe vitet e fundit Admir Murataj kishte bërë ndërhyrje kirurgjikale në fytyrë duke ndryshuar pamjen dhe për këtë arsye policia e pati të vështirë ta identifikonte kur u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me FNSH-në.
Për në këtë pikë, autoritetet shqiptare kërkuan ndihmën e policisë greke për ta identifikuar. Ekspertiza e materialit gjenetik (ADN-ja) dhe shenjat e gishtave nga ana e policisë greke bënë të mundur identifikimin e Admir Muratajt.