“Për të përfituar sa më shumë nga kjo konferencë, në cilësinë e drejtuesit të Autoritetit Kombëtar Mbikëqyrës së Sigurisë në Aviacion, unë do të preferoja t’a vë theksin mbi përgjegjshmërinë për adresimin e sfidave që rrjedhin nga detyrimet që ICTS Albania dhe TIA kanë në ruajtjen e një sistemi të vlefshëm dhe robust të sigurisë në aviacion në aeroport.
Siç mund të jeni në dijeni, sistemi i sigurisë së aviacionit civil në Shqipëri u godit rëndë në ngjarjen e datës 30 qershor 2016, kur një grup i armatosur arriti të hyjë me automjet në pistë dhe të grabis nën kërcënimin e armëve një sasi të konsiderueshme valute dhe të largohet pa u dëmtuar. Të tjera ngjarje dhe incidente të sigurisë që janë evidentuar kohë pas kohe (2017-2018) dhe që janë bërë objekt i hetimeve të sigurisë nga ana e AAC, kanë të bëjnë me depërtimin e paautorizuar të disa personave në rrethimin e aeroportit, apo pasagjerë problematik të cilët shpesh kanë rrefuzuar direktivat e agjentëve të sigurisë në Rinas për ndjekjen e procedurave të duhura të skanimit dhe kalimit të kontrolleve të sigurisë.
Një nga problemet kryesore që evidentohet letshëm në këto 14 vjet manaxhim të aeroportit, është mungesa thuajse e dukshme tashmë e plotësimit të të gjithë komponentëve të sistemit të manaxhimit të aviacionit dhe këtu e kam fjalën jo vetëm për punën në letra, të raporteve të auditeve dhe mbylljen e gjetjeve të tyre, por shkuarja deri në fund e arsyeve të dështimit në disa raste të sistemit të sigurisë. Në masat e marra nga ne si autoritet mbikqyrës, nuk ka pasur ndonjëherë përshkallëzim të masave me gjobë apo revokim të autorizimeve apo certifikatave të dhëna për personelin e sigurisë, e jo më diskutime për masa më të rënda, si pjesë e mekanizmave përmirësues të sistemit dhe jo me qëllim parësor penalizimin.
Periudha e punëve vetëm me raporte gjetjesh dhe mbyllje gjetjesh, të ngelura vetëm në letra, përgjatë këtij viti ka marrë fund, ku në mirëkuptim me palët është përmirësuar sistemi i mbikëqyrjes dhe marrjes së masave, në të mirë të përmirësimit dhe ruajtjes së standardit të vendosur nga ana e operatorit. Për Autoritetin e Aviacionit Civil është e papranueshme dhe e pakuptueshme tejkalimi i çdo afati të arsyeshëm për organizimin e një ushtrim sigurie apo edhe finalizimin e ri-firmosjes së marrëveshjes së bashkëpunimit me policinë e shtetit.
Duke e vlerësuar për një ndjeshmëri të lartë të publikut, AAC është e angazhuar dhe insiston, që të punohet sistematikisht dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, jo vetëm ndërmjet subjekteve që kanë përgjegjësi direkte për zbatimin e masave të sigurisë së aviacionit, sipas përcaktimeve të Programit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit, por edhe nga subjektet e tjera që janë të lidhura në mënyrë indirekte për veprimtaritë që kryhen në aeroport.
Ka ardhur koha e veprimeve konkrete dhe metodologjia e përdorur duhet të jetë vetëm ajo e analizës së rrënjëve të problemeve (root cause analysis), pa limite dhe kufizime për veprimet e duhura për përmirësimin definitiv të sistemit tonë të sigurisë në aviacion. Të mirëpritura janë fondet e harxhuara për trajnimit e personelit të sigurisë së aviacionit civil (përfshirë dhe ato të ICTS Albania) dhe rritjes së pagave dhe përdorimi i stimujve për më të mirët.
Të mirëpritura janë edhe investimet për përmirësimin e masave dhe procedurave, standardeve operacionale, apo ato për blerjen e pajisjeve të sigurisë. Autoriteti i Aviacionit Civil mirëpret iniciativat për analizimin në detaj të faktorëve që mund të ndikojnë në ruajtjen e standardit të duhur të punës në këtë fushë kritike, përfshi këtu analizën e faktorëve të të ardhurave dhe shpenzimeve për sigurinë, një ceshtje midis Aeroportit dhe ICTS, dhe jemi të gatshëm të jemi ndërmjetës të kaësaj tryeze diskutimesh.”/Ekskluzive.al