Nuk është në natyrën time të ankohem, por shumë gjëra që ndodhin në jetë, fillimisht është mirë t’i përballosh për të parë veten ku je, sa vlen, dhe si mund të dalësh prej atyre rrethanave të vështira ku ndodhesh, por njëherësh, është më se e drejtë që më pas të reflektosh qetësisht, po edhe të flasësh e të shprehesh për to!
Sigurisht, zhveshur nga pasionet, nga dhimbjet e pësuara o nga dëshira për të dëshmuar ndonjë heroizëm… Ata që nuk e kanë përjetuar atë lloj diktature nëpër të cilën ka kaluar jeta e shumë prej nesh, as mund t’i imagjinojnë vështirësitë, frikën, terrorin, as traumat e pësuara dhe dramat e vuajtura nga qindra e mijëra njerëz të pafajshëm që ende sot, edhe ata, ashtu si unë, i ndrydhin në heshtje brenda vetes të vërtetat e dhimbshme të kohës së tyre.
Terrori psikologjik është i rëndë për gjithë njerëzit, po ai është veçanërisht i rëndë për krijesat më të pafajshme, siç ishim ne fëmijët e asaj kohe, po edhe fëmijët tanë…, sepse veç faktit që ti s’arrin ta kuptosh pse ajo dhunë ushtrohej ndaj teje, më e tmerrshmja ishte se ti duhej ta pranoje dhe t’i nënshtroheshe asaj pa e kuptuar, ta pranoje sepse jeta jote s’kishte asnjë shteg tjetër veç nënshtrimit…
Kështu, ti duhej të jetoje, të rriteshe, ta njihje atë botë të deformuar nën presionin e diktaturës dhe veglave të saj të verbra, dhe t’i luteshe Zotit pa pushim që tehu i asaj lufte klasash, asaj shpate të përbindshme, të mos sillte arrestimin e prindërve të tu, të vëllezërve të tu, të burrit tënd, të fëmijëve të tu, dhe duke shkuar më tej me lutje: te të afërmit e tu, te miqtë e tu, te komshinjtë e tu… dhe te çdo njeri i vendosur padrejtësisht në kahun e “Armiqve të Popullit”.
Diktatura komuniste që mbretëronte hijerëndë “nën idealet e Partisë” nuk kishte limit në terrorin e saj ndaj “armiqve”. Sigurisht, çmimin më të madh e paguan prindërit tanë, por kjo nuk na la as ne fëmijëve të tyre, pa e provuar tmerrin, dhe më e keqja është se mbërriti dhe vazhdoi pa mëshirë edhe mbi fëmijët tanë!!! Fëmijët, gjithë fëmijët e kësaj bote, lindin të pafajshëm! Por jo në diktaturë!! Ata janë vazhdim i fajit të prindërve “Se gjarpri pjell gjarpër!!”.
I vetmi faj yni dhe i fëmijëve tanë ishte se kishim ardhur në këtë jetë në një botë që s’ishte aspak mikpritëse! Heqjet tona nuk mjaftuan, u desh që ato të rëndonin edhe mbi fëmijët tanë. Sot dua të tregoj diçka nga eksperienca ime, nga vuajtjet dhe dëshpërimi im i pakufi jo për fatin tim, po për traumën që pësoi dhe vuajti në heshtje djali im, Ervisi.
Ai lindi më 1 gusht të 1979-ës dhe na solli gëzim, shumë gëzim në familje, mbas vështirësive që patëm me fëmijën e parë. Por ky gëzim nuk qe jetëgjatë, mbasi më 6 gusht të 1980-ës, burrin tim, Dinen (nip i Fiqiri Dines) e arrestuan dhe më pas edhe e dënuan me dhjetë vjet burg, për “agjitacion e propagandë…”
Pra, vetëm 5 ditë mbasi Ervisi kish mbushur vitin, dhe dy javë mbasi unë kisha mbushur 21 vitet, mbeta e vetme me djalin dhe vjehrrën Sulltanë, jeta e së cilës ishte një tragjedi më vete. Nëntë muaj mbas burgosjes së djalit, Dines, ajo nënë e dhimbshme vdiq nga vuajtjet dhe ai trishtim që i shkaktoi burgosja e djalit të vetëm. Duke përsëritur në vazhdimësi të njëjtën frazë “Mjera unë, s’do ta shoh ma djalin!”, një mëngjes dha shpirt “e mjera nanë” në duart e mia… U trondita…
Isha ende fëmijë! Qe e para vdekje që shihja… Kështu mbeta atë ditë: me fëmijë në krahë… me vjehërr në dhé… dhe me burrë në burg… Ajo grua fisnike, që për mua qe një shtyllë ku mund të mbështetesha e të gjeja kurajë për të vazhduar përpara… s’ishte më! Vdekja e saj më bëri të ndihem fëmijë i mbetur mes rrugës, pa mbështetjen e askujt. Me fatkeqësinë e burgut mbi shpinë, u përpoqëm t’i japim kurajë njëra-tjetrës, por s’qe e thënë…
Tani më duhej t’i hyja atij realiteti të ashpër dhe plot peripeci, duke e përballuar gjithçka vetëm. Ajo vetmi fillimit më tmerroi. Mbi mua nisi të rëndojë një përgjegjësi e madhe familjare… Më duhej të punoja përditë: të rrisja djalin, të mbaja burrin në burg, ta mbaja shtëpinë hapur.
Fillimisht, çova djalin e vogël pa mbushur dy vjeç te prindërit e mi në Savër dhe çdo fundjavë shkoja atje me biçikletën e komshisë, që përpiqesj gjithsesi të më gjendej në dramën e fatit tim. Kishte raste që më pushtonte një gjendje ankthi për djalin dhe e merrja rrugën edhe në mesjavë (dhjetë kilometra vajtje dhe po aq ardhje) dhe kthehesha të nesërmen herët që të mbërrija në kohë për punë.
Gjithkush mund të ketë nga diktatura historitë e veta të terrorit dhe tmerrit… po për mua, ndarja me fëmijën tim të vogël ka qenë një tmerr i vërtetë, ashtu siç ka qenë edhe për atë krijesë të pafajshme. Edhe tani që e mendoj, që e kujtoj dhe po e përshkruaj atë ndarje… dridhem e gjitha e më rrjedhin lotët çurg… Vërtet, për djalin u kujdesën dhe e rritën prindërit e mi, të cilët sigurisht e mbanin edhe më mirë sesa mund ta mbaja unë, por ajo dhimbja ime e nënës, ai trishtimi i atyre ndarjeve tona të përjavshme për vite e vite, akoma ka peshë në zemrën time dhe nuk besoj se mund të harrohet.
Ishte një lidhje e fortë midis nesh, pse kishim ndarë bashkë, ashtu pa e kuptuar, shumë gjëra! Unë isha 21 vjeçe pa burrë, ai ishte 1 vjeç pa babë! Ai ishte fëmijë i vogël, unë ndoshta një fëmijë i madh… Jetonim të dy në kampe internimi pa e ditur asnjëri psenë! Ai fëmijë ishte gjithçka për mua, sigurisht edhe unë isha gjithçka për atë.
Prandaj s’mund ta harroj çastin kur vinte koha e ndarjes! Im atë më përcillte me Ervisin përdore dhe kur ndaheshim, ai qante gjithë kohës pa zë, thjesht vetëm i rridhnin lotët rrëke nëpër faqe, ashtu në heshtje. As më ndiqte mbrapa kur merrja rrugën e ikjes, as bërtiste, as fliste… asgjë… vetëm heshtte… dhe im atë duke ia parë ata lot nëpër faqe, i thoshte: “Po bërtit, more qen, qaj me të madhe, se s’mundem me t’i pa ata lot ashtu të heshtur!!!”.
Ma vonë, mbaj mend babën që më tha: “Ai fëmijë më duket se mban krejt të keqen brenda dhe s’do me ia pa askush!”. Oh, si ma copëtonte zemrën ai vogëlushi im!!! Po kushedi sa fëmijë si ai e kanë fshehur në heshtje dhimbjen për prindërit e tyre të degdisur burgjeve të diktaturës… E ndërsa shkruaj, i kam menduar të gjithë ata dhe betohem se nuk kanë qenë të paktë…
Gjithë rruga ime e kthimit për Gjazë më shkonte duke qarë jo veç fatin tim, po edhe atë të atij fëmije që përlotesh në heshtje… Sa herë merrja rrugët e gjata të burgjeve, për të takuar Dinen, mundohesha çdo herë ta merrja edhe Ervisin me vete, me mendimin që sadopak ta shihte dhe ta njihte të atin, ose mjaft që t’i mbetej figura e tij në sy dhe në mendje.
Ato 15 minuta deri në një orë sa zgjaste takimi, me praninë e frikshme të policit të burgut, në një dhomë- birucë, të vogël, të zbrazët, të shëmtuar ashtu e ndarë me hekura, me lloza, e me sportele në mes, me parulla… mjaft që ai ta shihte babën e vet, e konsideroja të rëndë- sishme. Gjatë takimeve në burgjet e tmerrshme të Spaçit, Qafë-Barit dhe Zejmenit do të kujtoj një ngjarje që më ka mbetë në mendje sot e kësaj dite… Ishim në Spaç…
Ervisi duke dashur t’i hidhet në qafë të atit, me duart e vogla u kap mbas hekurave dhe po mundohej ta kapërcente atë sportelin e ngushtë me hekura. Dinia më kish thënë se polici i shërbimit të asaj dite ishte nga më të rreptit dhe më të pashpirtët e burgut. Edhe ai polic i zellshëm, me pamje egërsire, duke e pa atë përpëlitje fëmije, u prek nga ajo skenë e dhimbshme dhe e lejoi Ervisin të kalonte matanë e ta përqafonte të atin!!
Mbaj mend se aty rrotull dukej edhe ndonjë i burgosur, që e shihte me admirim atë fëmijë, sepse sigurisht mendonte fëmijët e vet… Një tjetër episod i dhimbshëm më ndodhi kur shkoja në Zejmen të Lezhës… Niseshim gjithnjë herët me trenin e parë. Asaj here isha me babën. Të dy kishim nga dy trasta me ushqime që i mblidhnim grimca-grimca nga kursimet e disa muajve, prej atyre “racioneve” të famshme.
Zbritëm në Milot dhe rruga për në burgun e Zejmenit ishte rreth 6 kilometra e gjatë dhe bëhej vetëm në këmbë!! Me gjithë trastat e ushqimeve, kishim edhe Ervisin 4- 5-vjeçar që herë mbas here na duhej ta mbanim në krahë… Kështu nga 6, rruga sikur na bëhej 60 kilometra.
Mbas një copë rruge baba u lodh me Ervisin në krahë dhe trastat në dorë dhe gjen një shkop në rrugë e i thotë… “Hajde Ervis, – i tha – se ta gjeta kalin! Hajt, hipi shpejt këtij kalit dhe na kallëzo rrugën se edhe pak mbërritëm…” I entuziazmuar prej atij shkopi–kalë, që ai e fuste mes këmbëve dhe nisej me vrap, po mbas njëqind hapash ai lodhej dhe ankohej, po baba i rraskapitur prej trastave e inkurajonte… derisa mbërritëm te burgu.
Çlirimi prej trastave me ushqime ishte një shpëtim që s’harrohet… Sigurisht askush nuk e mban mend si ato gra që i kanë “bredhur” burgjet shqiptare të komunizmit… I tregova këto peripeci të vuajtjes, sepse atëherë më dukej sikur djali im i ndiente vuajtjet dhe dhimbjet tona, dhe vuante edhe ai pa e ditur e i ndrynte brenda vetes…
Vite më vonë, Ervisi hyri në shkollë dhe mbasi kreu klasën e parë në Savër, u kthye dhe vazhdoi shkollën e Gjazës dhe më pas atë të Ngurrzës. Njëherë ai shkroi një hartim në klasë, në të cilin, si në formë përralle, tregoi për një fëmijë që mësuesit e rrihnin pse babai i tij ishte burgosur dhe dënuar si “Armik i Popullit”. Këtë ngjarje unë s’e kisha ditur, pse ai asnjëherë s’kish pasur guxim ta tregonte.
Kohë më vonë, kur e mora vesh, e pyeta: “Po pse, Ervis, s’ma ke treguar këtë gjë??”, dhe ai më tha: “Po jo, o ma, nuk desha ta them se kisha frikë se ti shkoje dhe ziheshe me ata, dhe të fusin edhe ty në burg! Mirë babin… Po pa ty si të bëja unë?!!!”. Kjo është një tjetër e vërtetë e fëmijës tim që më dhemb… Prandaj e mora mundimin dhe guximin t’i shkruaj këto pak rreshta, sepse siç thotë Rousseau: “Njeriu ka lindur i lirë, por kudo ai jeton ndër pranga!”.
Edhe ne kemi lindur të pafajshëm, por mbajtëm prangat e një terrori të përbindshëm, të një sistemi që ndau dhe shkatërroi qindra familje, që vuri birin kundër babës, nënën kundër djalit, vëllanë kundra vëllait, gruan kundër burrit, me një fjalë gjithçka në funksion të survejimit, të spiunimit dhe të shpifjes… Shumë nëna, gra, motra dhe fëmijë kanë hequr të njëjtat vuajtje, disa edhe shumë herë më keq. Unë mendoj se këto histori duhen treguar, jo për t’i ngjallur keqardhje ndokujt, po për të dëshmuar krimin që përhapej si njollë vaji në krejt shoqërinë shqiptare…
Shqipëria ende sot e kësaj dite s’e ka dënuar as sistemin komunist dhe as veglat më të zellshme të atij sistemi… që tejkaluan edhe ligjet e asaj kohe… Pse nuk është dënuar krimi komunist, pse nuk janë respektuar asnjëherë vlerat morale dhe intelektuale, vendi vazhdon të qeveriset prej atyre që kanë qenë pjesë e këtyre krimeve… Unë tregova vetëm të vërtetën e fëmijës tim… janë me mijëra e mijëra fëmijët që kanë përjetuar tmerre edhe më të mëdha, trauma edhe më të dhimbshme… ndoshta shpirti i tyre kurrë s’do të gjejë atë normalitetin që duhej të gëzonte një fëmijë…
Unë shkrova si nënë… po shkrova edhe si grua… Populli hebre pati një holokaust që e di gjithë bota… Sot e kësaj dite kanë kaluar më shumë se 80 vjet dhe ata vazhdojnë të botojnë libra, të shkruajnë artikuj, të kenë site, të shfaqin dokumentarë dhe filma të panumërt, thua se e gjithë kjo ka ndodhur dje. E bëjnë me kokëfortësi këtë gjë dhe të vendosur që ato krime monstruoze që ndodhën, të mos përsëriten kurrë më ndaj tyre…
Nuk ka asnjë arsye pse ne shqiptarët të mos flasim dhe të mos i rrëfejmë krimet e ushtruara ndaj nesh dhe dëshiroj ta mbyll këtë shkrim ashtu siç thotë Edmond Burke: “Ata që nuk e njohin mirë historinë e tyre, janë të dënuar që ajo t’u përsëritet!”. Zana Bajraktari /New Jork, 14 gusht 2013/ Kujto.al