Presidenti i Sudanit, Omar al-Bashir, është arrestuar nga ushtria pas protestave masive popullore. Ndërkohë, në Sudan po zhvillohen diskutime për krijimin e një Këshilli Kalimtar që do të drejtojë vendin.
Dhjetëra mijëra sudanezë dolën në rrugë për të festuar largimin e tij duke brohoritur “ai ra, ne fituam”.
Pas 30 vitesh udhëheqje një grusht shteti i mbështetur edhe nga ushtria e vendit ka çuar në arrestimin e presidentit të Sudanit, Omar al-Bashir. Protestat kundër kreut të shtetit për korrupsionin dhe varfërinë në vend nisën vitin e kaluar, por kulmuan ditët e fundit ku të paktën 22 persona mbetën të vrarë.
Largimi i tij i jep fund sundimit autokratik 30 vjeçar të presidentit 75 vjeçar, Omar al-Bashir, i cili u përball me protesta disa muajshe, gjatë të cilave dhjetëra veta humbën jetën në përleshjet me forcat e sigurisë.
Protestat filluan më 19 dhjetor të vitit të kaluar dhe demonstruesit e akuzuan qeverinë e al-Bashirit, pos tjerash për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve.
Omar Al-Bashir, i cili mori pushtetin pas një grusht shteti në vitin 1989, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme më 22 shkurt, në një përpjekje për të shtypur protestat.
Omar Al-Bashir kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, në lidhje me mizoritë e kryera në rajonin perëndimorë të Darfurit./ Opinion.al E.Xh.