Lidhjet e parlamentarëve shqiptarë me ish-Sigurimin e Shtetit rrezikojnë të zbulohen. Kjo ka qenë një çështje shumë sensitive gjithmonë, ndërsa nuk kanë munguar as akuzat se spiunët e ish-Sigurimit kanë depërtuar deri në Parlament. Pak kohë më parë gazeta tregoi sesi Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit po përgatitej për ndërhyrje në ligjin aktual, me qëllim që verifikimi i politikanëve të jetë i detyruar.
Lidhur me këto ndryshime ligjore foli dje edhe vetë kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentjana Sula, duke dhënë disa detaje më shumë. Teksa raportoi para Komisionit të Ligjeve për veprimtarinë e AIDSSH për vitin 2018, Sula deklaroi se janë përgatitur disa ndryshime të Kodit Zgjedhor, i cili do të detyrojë deputetët dhe kandidatët për kryetarë bashkie që të kalojnë në filtrin e Autoritetit të Dosjeve.
“Autoriteti, mbi bazën e informacionit, dijeve dhe eksperiencës teknike të përftuar si përvojë nga zgjedhjet e kaluara, ka përgatitur një draft/propozim për përmirësime të nevojshme të kuadrit ligjor zgjedhor, ku mbetemi të hapur dhe për variante të tjera të mundshme, për qëllime të transparencës së figurës së kandidatëve gjatë fushatave elektorale, të cilat besojmë se komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore do t’i materializojë në dispozita të reja ligjore.
Ky draft i është përcjellë gjatë muajit nëntor 2018 edhe Kuvendit të Shqipërisë. Verifikimi i kandidatëve të kalojë nga institucioni jonë”, tha Gentjana Sula. Përmes këtij ndryshimi, të gjithë parlamentarët që dikur kanë bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit do të dalin në dritë. Në skaner do të kalojnë ata politikanë që gjatë fushatave elektorale aspirojnë të bëhen deputetë apo kryebashkiakë. Në këtë mënyrë, ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë ndezur alarmin në Parlament sepse çdo ish-sigurims që tenton të ngrihet në detyrë do të zbulohet nga Autoriteti i Dosjeve.
Ata parlamentarë që kanë qenë ish-sigurimsa janë futur në panik sepse aktet e tyre në të kaluarën janë drejt zbardhjes. Me këtë lëvizje preken të gjitha palët politike, por më tepër PD e PS. Edhe pse PD është jashtë Parlamentit, ligji nëse ndryshon do vlejë për të kur të hyjë në zgjedhjet e ardhshme. Sipas shumë dëshmive, në radhët e PD e PS ka shumë spiunë dhe nëse amendohet Kodi Zgjedhor, atëherë do ketë surpriza.
Verifikime edhe për punonjësit e MEPJ
Verifikimit me detyrim të Autoritetit të Dosjeve duket se nuk do t’i shpëtojnë as punonjësit e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Gentjana Sula deklaroi dje se edhe në ligjin për shërbimin e jashtëm janë paraqitur disa ndryshime, ku parashikohet që të punësuarit në MEPJ të kalojnë në sitë.
“Ndryshime të mundshme në ligjin 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, në vijim të bashkëpunimit midis dy institucioneve dhe praktikave të krijuara, lidhur me procesin e verifikimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të punonjësve të MEPJ. Është vetë institucioni i MEPJ që do të ndërhyjë në dispozita të veçanta në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, si në procedurat e rekrutimit në Shërbimin e Jashtëm”, u shpreh Sula.
Në rrezik dokumentet arkivore
Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve ngriti ditën e djeshme alarmin se dokumentet arkivore janë në rrezik për shkak se nuk janë në dispozicion ambientet e duhura për mirëmbajtjen e tyre. Për këtë arsye AIDSSH kërkoi ndërhyrjen e qeverisë që të krijojë kushte optimale për ushtrimin e veprimtarisë.
“Nëse do të konsiderojmë faktorët që sjellin riskun e lartë fizik dhe sigurinë që mbart në vetvete fondi arkivor i shpërndarë në institucione të ndryshme, përfshirë këtu mungesën e kushteve fizike optimale, temperaturat e larta që ndikojnë negativisht në ruajtjen e dokumenteve arkivore dhe mungesën e eficiencës në punë të administratës së AIDSSH-së gjatë procesit të administrimit të dokumentacionit arkivor të kërkuar nga subjektet e parashikuara nga zbatimi i ligjit 45/2015, e bëjnë mëse të domosdoshme ndërhyrjen urgjente të qeverisë në këtë drejtim”, tha Gentjana Sula. /Mimoza Ibra