Në historinë e kinematografisë e teatrit shqip, emri i Antoneta Papapavlit do të kujtohet për karakteret e spikatura plot temperament, që sot janë pjesë e rëndësishme e historisë së artit të shtatë në vend. E lindur më 17 shkurt 1938 në Përmet, ajo kreu studimet e larta në degën e dramës dhe menjëherë pas studimeve do të emërohej si aktore në Teatrin Popullor më 1964. Ka interpretuar mbi 50 role në teatër dhe më shumë se 16 role në filmin artistik. Roli i saj i parë në kinematografi ishte ai i zonjës Hatixhe në filmin “Tinguj Lufte” , 1976 nën regjinë e Xhanfise Kekos.
Më 1981 regjisori i njohur Fehmi Oshafi do ti besonte rolin e drejtoreshës së shkollës, tek filmi “Shoku ynë Tili”, ku menjëherë do të binte në sy interpretimi plot cilësi i Papavaclit. Më pas regjisorët Dhimitër Anagnosti dhe Viktor Gjika do ti besojnë rolin e Ngjelës tek filmi “Komisari i Dritës” më 1966 me skenar të Llazar Siliqit. Më 1976 tek filmi “Përballimi” ajo do të ketë rolin e Kleas, rol që ia besoi sërish regjisori Viktor Gjika.
Në këtë rol ajo do të shfaqte gjithë sharmin e një aktoreje që i dha jetë kinemasë shqiptare të atyre viteve. Tek “Shoqja nga fshati” ajo do të interpretojë rolin e Lefkës, nën regjinë e Pirro Milkanit.
Role të tjera që kanë mbetur në kujtesën e publikut janë nëna e hetuesit tek “Hetimi vazhdon” më 1988, nëna e Zanës tek “Kur ndahesh nga shokët” më 1986, nëna e Lizës, tek “Kur hapen dyert e jetës” më 1986, profesorja e Mirës tek “Apasionata” më 1983, etj. Ndër rolet e spikatura në teatër janë ai i mamasë së Elsës, tek “Pallati 176”, i gjyshes tek “Hijet e natës”, Adela tek “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, Ledi Milford tek “Intrigë dhe dashuri”, etj.
Antoneta do të kujtohet si aktorja e që hyri nën lëkurën e zonjave të vërteta duke sjellë për publikun gjithë sharmin e një gruaje që mund të vishte pelice. Pasioni i saj i madh për kinemanë shihet në çdo rol që ka interpretuar. Antoneta hyn tek ato aktore që u ndanë shpejt me kinemanë. Në vitin 1985 ajo doli në pension dhe nuk u ngjit më kurrë në skenë për arsye shëndetësore. Ajo mban titullin “Artiste e merituar” dhe ka një rol të rëndësishëm në historinë e kinemasë shqiptare. Ajo u shua më 13 shtator 2013 në moshën 75 vjeçare.