Banorët e Kodër-Kamzës në njësinë administrative Nr.11 të bashkisë Tiranë, kanë dalë sërish sot në mbrojtje të projektit të shkollës së re “Nënë Tereza”, e cila ka qenë objekt debatesh mes shumicës dhe opozitës në ditët e fundit. Ata kanë kërkuar nisjen sa më parë të punimeve për ndërtimin e shkollës së re, pasi ajo do u shërbejë 30 mijë banorëve që jetojnë në këtë zonë.
Banorët shprehen se aktualisht janë të detyruar që të shpenzojnë 300 lek në ditë për të çuar fëmijët e tyre në shkollë. “Praktikat t’i bëjnë poshtë, ua kanë caktuar vendin ua kanë caktuar vendin. Praktikat e universitetit bujqësor kanë qenë bërë në Valias. Edhe s’ka rrugëdalje tjetër. Unë kam ardhur për të filluar punë, të fillojë puna se kemi kalamajt, paguajmë 3 mijë lekë në ditë. Kemi 1 javë që vijmë këtu se paguaj 3 mijë lek unë për kalamajt që të çoj në shkollë”, tha një prej banorëve.
Një tjetër banor i cili jeton aty që prej viteve ’60, thekson se kërkesa për ndërtimin e shkollës është një kërkesë e hershme e këtij komuniteti, por që është zvarritur. “Aktualisht këta banorë që kërkojnë shkollën e mesme dhe 9-vjeçare ka vite që e kërkojmë dhe shyqyr Erion Veliajt që iu dha mundësia për ta kthyer në tokë të Bashkisë së Tiranës dhe të kompensojë pronarët.
Se deri dje me pronarë, pse se bëri atë masterplanin. Ka tre pronarë kjo toka. Kjo hapësirë i është kthyer pronarëve. Janë kompensuar. Dhe janë tre pronarë që janë dëmshpërblyer. Shkolla do bëhet dhe i kthehet 30 mijë banorëve. Studentët janë sot nesër ikin në shtëpitë e tyre, kurse ne jetojmë këtu.
Çfarë të keqe ka që bëhet një shkollë dhe u vjen në ndihmë komunitetit. Ka 30 vjet, tani u kujtua universiteti. Ka 30 vjet që rri djerrë. Unë kam që në vitet 60 këtu dhe e di shumë mirë dhe se ku ka qenë kopshti botanik, krejt territori që u shit nga rektorët që nga Petrit Rama e Besnik Gjongecaj e me radhë që është zënë hapësira. Çudi që zgjasin, automatikisht duhet të fillojë punimet. 30 mijë banorë vijnë këtu sepse kanë shkollë. Çfarë të keqe kanë nga arsimi, nuk i kuptoj”, theksoi banori tjetër.
Shkolla në Kodër Kamëz është një nga 17 shkollat e reja që bashkia e Tiranës ka parashikuar të ndërtojë në gjithë Tiranën, për t’i dhënë zgjidhje një herë e mirë mësimit me dy turne dhe për të rritur cilësinë e mësimdhënies.