Një 21-vjeçar mbeti i plagosur rëndë pasi u godit me thikë pasditen e së martës në zonën e Alliasit në Tiranë. Ngjarja ndodhi në afërsi të një kompleksi në rrugën “Niko Avrami”, ku dy të rinj, njëri 21 e tjetri 25 vjeç, u përleshën me njëri-tjetrin e më pas u përdor edhe thika.
Burime nga Policia thanë se ngjarja ka ndodhur për motive banale, pasi të rinjtë janë sharë me njëri-tjetrin, e më pas kanë nisur të zihen duke u goditur me grushte e shqelma.
Autori i ngjarjes, tashmë i arrestuar, është shtetasi Ergus Metani, i cili është ndaluar vetëm pak momente pasi kishte goditur disa herë me thikë, 21-vjeçarin me inicialet E.Z.. I plagosuri është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve, por në gjendje kritike.
Vetë i arrestuari nuk ka pranuar të japë shpjegime gjatë marrjes në pyetje në Polici. Nga ana tjetër, i plagosuri e ka pasur të pamundur të japë dëshminë e tij para oficerëve të Policisë, pasi gjendja e tij vazhdon të jetë e rëndë.
Kanë qenë dëshmitarët e ngjarjes ata që i kanë telefonuar Policisë, menjëherë sapo kanë parë dy të rinjtë që po konfliktoheshin ashpër me njëri-tjetrin.
Menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Komisariatit nr.4 që kanë bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar, Ergys Metani, i cili pasi kishte kryer plagosjen po largohej me shpejtësi.
Në momentin e arrestimit, atij i është sekuestruar edhe thika, me të cilën kishte goditur 21-vjeçarin. Ndërsa, sipas Policisë, gjatë një kontrolli që është kryer në banesën e tij, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një sasi bime narkotike e llojit kanabis sativa.
Ndaj 25-vjeçarit janë ngritur tri akuza nga ana e Policisë. Ai është arrestuar për “plagosje të rëndë me dashje”, “prodhim e mbajtje pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhim apo shitje të lëndëve narkotike”.