Kryeministri Edi Rama inspektoi ditën e djeshme kantierin e ri për ndërtimin e Spitalit të Kirurgjisë tek Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Gjatë këtij inspektimi ai u shoqërua edhe nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ndërsa deklaroi se përmes këtij investimi të qeverisë do të arrihen standardet e Bashkimit Evropian. Rama theksoi se tani do të jetë e mundur që të kryhen 17 mijë operacione në vit.
“Me përfundimin e Spitalit të ri të Kirurgjisë në muajin qershor, do të ofrohet për herë të parë një hapësirë e shërbim sipas të gjitha standardeve të BE-së, për rreth 17 mijë operacione në vit. Është një investim i qeverisë shqiptare nëpërmjet kredisë së Bankës së Këshillit të Europës, i cili përfundon në maj-qershor të këtij viti për spitalin kirurgjikal dhe paralelisht vijojnë punimet për Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme.
Këtë vit kemi alokuar nga buxheti i shtetit 3.8 milionë dollarë për të mobiluar të gjithë hapësirat e nevojshme për të filluar puna sa më shpejt”, tha Rama. Ai po ashtu shtoi se nga këto investime do të përfitojnë 300 mijë pacientë, rreth 5000 punonjës staf mjekësor dhe jomjekësor, si dhe rreth 1000 studentë të Mjekësisë. Ndërsa ministrja Manastirliu nga ana tjetër bëri me dije se spitali i ri do të ketë 120 shtretër, 7 salla operacioni, një laborator histologjik, 7 shtretër për terapinë intensive dhe aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë.
“Paralelisht me Spitalin Kirurgjikal po vijojnë punimet edhe për Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme. Për atë kemi një afat më të gjatë, maj 2021. Ai do të ketë 340 shtretër në dispozicion të të gjithë shërbimeve interne, gjithashtu edhe një urgjencë të QSUT-së të riorganizuar edhe të alokuar në atë spital të ri, duke e bërë këtë një spital me parametra europiane”, sqaroi më tej Ogerta Manastirliu.
Kurse një nga mjekët deklaroi se ky investim e bën Shqipërinë të arrijë standardet evropiane, ndërsa një tjetër theksoi se në 50 vite është hera e parë që po investohet tek Kirurgjia. “Ka 50 vjet, hera e parë që investohet për kirurgjinë e përgjithshme”, tha ai.