Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë futur opozitës shqiptare të dyja këmbët në një këpucë. Edhe pse Basha, Berisha e Kryemadhi shpresonin që ndërkombëtarët të bënin presion te Rama që të shkohej te zgjedhjet e parakohshme, kjo jo vetëm nuk ka ndodhur, por SHB-BE kanë dalë hapur kundër PD e LSI. Zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, pas takimit me Ramën të hënën, dje është takuar me kreun e opozitës Lulzim Basha, kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi dhe presidentin Ilir Meta.
Burime shumë të sigurta i thanë gazetës se Palmer në këtë takim nuk ka shkuar aspak për të negociuar, por ka dhënë disa ultimatume të prera dhe është larguar. Kjo u duk qartë dhe te mimika e fytyrës së Bashës e Kryemadhit, të cilët e kishin humbur buzëqeshjen. Por çfarë ndodhi realisht në takime? Palmer shkoi fillimisht në PD e më pas në selinë e LSI, ku në të dyja rastet qëndroi rreth 1 orë.
Ai fillimisht ka dëgjuar pretendimet e Bashës dhe Kryemadhit, të cilët janë ankuar se reforma në drejtësi po kapet, është bllokuar Gjykata Kushtetuese dhe po ashtu janë mundur të justifikojnë djegien e mandateve me argumentin se zgjedhjet janë vjedhur dhe provat kanë dalë dhe te “Zëri i Amerikës”. Por Plamer u ka dalë kundër, duke ju lënë në tryezë një sërë porosish, të cilat duhet që të zbatohen.
Skenarët e dhunës
Së pari, ai ja u ka bërë të qartë se nuk duhet të ketë më protesta të dhunshme. Duke u ndalur dhe te protesta e 13 prillit, ai ka kërkuar që të bëhet gjithçka e qetë, pasi sulmi ndaj institucioneve bie ndesh me ligjin dhe çdo skenar destabilizues dëmton jo vetëm Shqipërinë, por dhe rajonin. Me këtë lëvizje Palmer ka rrëzuar planet Berisha-Meta për të destabilizuar vendin. Berisha e Kryemadhi kanë rritur presionet ndaj Bashës duke kërkuar dhunë. Gazeta e tha pak ditë më parë se më 13 prill ishte parashikuar një tjetër sulm ndaj Kryeministrisë. Edhe në mbledhjen e Kryesisë të hënën, Berisha i çoi mesazh të qartë Bashës, duke i thënë se duhet të kalojë detin në këmbë. Por Palmer ka rrëzuar çdo lloj skenari dhune.
Mandatet
Palmer ka dalë gjithashtu dhe kundër djegies së mandateve dhe zgjedhjeve të parakohshme. Sipas tij, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, pasi ky është një shembull që shumë lehtë mund të kopjohet nga vendet e rajonit si Mali i Zi, Serbia apo Maqedonia dhe një gjë e tillë fut në kaos gjithë Ballkanin. Po ashtu ai i ka drejtuar një pyetje të drejtpërdrejtë Bashës dhe më pas Kryemadhit: Çfarë do bëni për zgjedhjet vendore?
Burime të gazetës thanë se Basha ka dhënë sinjale se do marrë pjesë. Ai është shprehur se është gati të garojë përballë PS, por vetëm nëse garantohet një proces i rregullt dhe të ketë një garë të barabartë. Nga ana e tij, Palmer është shprehur se zgjedhjet vendore nuk duhet të bojkotohen. Po ashtu zyrtari i DASH ja u ka bërë të ditur se nga lëvizjet e opozitës po dëmtohet integrimi dhe reforma në drejtësi dhe prandaj duhen hapa pas.
Në fund ai zhvilloi një takim me presidentin Meta. Ky i fundit reagoi përmes rrjeteve sociale duke dhënë shumë pak detaje mbi atë që u fol. “Takim i hapur&miqësor me Zv/Ndihmës Sek. e Shtetit për Europën, Matthew Palmer mbi situatën e vështirë politike në vend & rrugëdaljet për të ecur përpara. Interes i ndërsjellë për forcimin e demokracisë & shtetit të së drejtës, që qëndrojnë në themel të partneritetit strategjik mes Shqipërisë e SHBA”, tha Meta
Takimi me gazetarët
Zyrtari amerikan, qëndrimet që ka mbajtur në tryezën me Bashën e Kryemadhin, i shprehu më herët në një bisedë me gazetarët. Në ambasadë ai priti disa gazetarë të televizioneve kryesore në vend dhe doli hapur kundër djegies së mandateve, ndërsa qeverinë e cilësoi legjitime. “Mendoj se mjete si bojkotimi i zgjedhjeve apo djegia e mandateve janë thelbësisht në kundërshtim me praktikat demokratike. Prandaj do të nxisja partitë e opozitës që të kërkojnë mënyra për t’u riangazhuar në procesin politik, dhe mendoj se zgjedhjet lokale të qershorit janë mundësia më e mirë për ta bërë këtë sa më parë.
Nëse ka një mundësi për dialog me qeverinë mbi reformat zgjedhore, mendoj se ata duhet ta ndjekin këtë mundësi. Reformat zgjedhore janë të rëndësishme në Shqipëri jo si një mjet për të tejkaluar “krizën” aktuale apo ngërçin aktual por sepse janë të rëndësishme për demokracinë shqiptare”, tha Palmer.
Zgjedhjet
Zyrtari i SHBA e bëri të qartë dje se ai nuk do të negociojë për zgjidhjen e krizës. Por u shpreh se PD-LSI duhet të futen në zgjedhjet e qershorit. “Mendoj se do të ishte fatkeqësi për opozitën nëse nuk do të kërkonte mënyra për t’u rifutur në procesin demokratik, përfshirë edhe, më të afërtin, qershorin.
Se si zgjidhet ky proces, se si zgjidhen mosmarrëveshjet, kjo është në dorën e partive politike dhe udhëheqësve të partive politike për t’u zgjidhur. Në rrugën e saj përpara, Shqipëria ka mbështetjen dhe miqësinë e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara.
Institucionet e qeverisë janë funksionale, janë legjitime, Shqipëria nuk ka problem në marrjen e vendimeve, në miratimin e ligjeve, dhe unë kam besim se kjo qeveri do ta çojë vendin drejt një të ardhmeje europiane, do të jetë në gjendje të vazhdojë të veprojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në zbatimin e reformës në drejtësi, në kryerjen e vetingut që është i rëndësishëm për t’u dhënë shqiptarëve besimin në administrimin e drejtësisë”, tha ai. /Kliti Topalli