Kuvendi i ka hequr Prokurorisë së Përgjithshme varësinë ndaj Policisë Gjyqësore. Deri më tani ka pasur një bashkëpunim mes institucionit të akuzës dhe Policisë së Shtetit për oficerët e Policisë Gjyqësore. Por tani me ndryshmet e reja ata do të jenë disi të pavarur. Ditën e djeshme Komisioni për Sigurinë Kombëtare, miratoi në parim projektligjin “Për Policinë Gjyqësore”. Në ligj parashikohej që Këshilli i Lartë i Prokurorisë krijon një Komision të Policisë Gjyqësore, i cili vendos për rekrutimin, procedimin disiplinor, transferimin, uljen në detyrë, pezullimin, madje, edhe shkarkimin ose transferimin e përkohshëm të oficerëve të policisë gjyqësore.
Mirëpo, me ndryshimet që i janë bërë projektligjit në fjalë, Komisioni i Policisë Gjyqësore nuk do të jetë një organ që krijohet pranë KLP, por do të jetë një organ kolegjial. Kjo u bë e ditur ditën e djeshme në Komisionin e Sigurisë nga deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi. “Komisioni i Policisë Gjyqësore, sipas ndryshimeve të propozuara nga grupi ekspertëve, nuk do të jetë më një organ që krijohet pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por është një organ kolegjial, që do të ketë në përbërje një prokuror që propozohet nga Prokurori i Përgjithshëm, nje oficer të Policisë Gjyqësore, i cili po ashtu propozohet nga Prokurori i Përgjithshëm dhe nga një anëtar nga shërbimet e policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit , i cili caktohet nga drejtori i Policisë së Shtetit”, deklaroi ajo.
Asistencë nga EURALIUS
Interesant është fakti se ndryshimet që ka pasuar projektligji “Për Policinë Gjyqësore”, është asistuar edhe nga ndërkombëtarët. Gjatë fjalës së saj, zonja Hysi e vuri theksin te objektivat e këtij projektligji dhe nënvizoi faktin që kjo është një nismë ligjore e përgatitur nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë, të Komisionit për Reformën në Drejtësi.
Sipas saj, ky projektligj i është nënshtruar një diskutimi të gjerë konsultash me një sërë institucionesh, si me Policinë Gjyqësore, Prokurorinë e Përgjithshme, Policinë e Shtetit , misionin EURALIUS, etj. “Objektivi i parë dhe kryesor që synon projektligji, është që të riorganizojë nga pikëpamja strukturore dhe funksionale ligjin e Policisë Gjyqësore, dhe kjo është një nga arsyet pse ka marrë kaq shumë kohë dhe nuk ka kaluar së bashku me paketën e ligjeve të tjera të reformës në drejtësi.
Lidhur me organizimin dhe funksionimin, grupi i punës ka sjellë disa riformulime, lidhur me varësinë dhe ushtrimin e funksioneve të Policisë Gjyqësore , me organizimin e këtyre shërbimeve, me mënyrën e emërimit, promovimit të oficerëve të policisë Gjyqësore”, nënvizoi Hysi. Të pranishëm në komision, për të prezantuar projektligjin ishin Vasilika Hysi, në cilësinë e firmëtares së projektligjit, si dhe prokurorët Alfred Progonati dhe Kujtim Luli nga Prokuroria e Përgjithshme.
Debate në komision
Në mbledhjen e Komisionin për Sigurinë Kombëtare nuk munguan as përplasjet me tone të ashpra mes deputetit të Partisë Socialiste, Spartak Braho dhe deputetit të larguar nga PD, Myslym Murrizi. Ky i fundit në debat e sipër, hodhi akuza ndaj qeverisë, ndërsa u përplas edhe me deputetin Braho, duke i kërkuar kryetares së Komisionit të Sigurisë që ta nxirrte jashtë. Më tej, pati debate edhe për pagën që marrin oficerët e Policisë Gjyqësore.
Prej 1 janarit në bazë të ligjeve për reformën në drejtësi, marrin një pagë prej 70 % të vlerës së pagës që kanë prokurorët. Por në projektligjin e ri për këtë kategori, parashikohet që kjo shumë të ulet në 50 %. Mirëpo, drafti u kundërshtua edhe nga vetë deputetët e mazhorancës.
Kërkesa për përgjysmimin e pagave erdhi nga Ministria e Financave, me pretendimin se ka efekt në buxhetin e shtetit, ndonëse numri i oficerëve gjyqësorë nuk është i lartë. Megjithatë, pas debateve komisioni miratoi në parim projektligjin “Për Policinë Gjyqësore”. Kujtojmë që projektligji “Për Policinë Gjyqësore” është një ndër projektligjet e paketës së reformës në drejtësi. /Rigels Seliman