Makina e përdorur në grabitjen brenda aeroportit të Rinasit, rezulton të jetë e vjedhur në Laç. Ndërsa grabitësit, siç shprehen ato, kanë vepruar me një disiplinë ushtarake. Personi që shkëmbeu zjarr me policinë kishte detyrë të digjte makinën me logon “hetimi tatimor”, ndërsa 3 të tjerët janë larguar me një furgon tjetër, që e dogjën në Kamëz.
Grabitësit, thonë burimet policore, kanë qenë njohës të mirë të zonës dhe e kanë mirëmënduar rrugën e largimit, pas ekzekutimit të kësaj vjedhjeje.
Gjatë kohës kur po kryhej grabitja, ka qenë një punonjës i zjarrfiksëve që ka vërejtur derën e hapur dhe ka njoftuar kompaninë ICTS që merret me sigurinë e aeroportit. Në të njëjtën kohë është njoftuar dhe komisariati Rinas. Kur autorët janë larguar nga pista është kuptuar grabitja dhe policia është vënë në lëvizje. Në zonë ka qenë një grup FNSH, i cili u vu në ndjekje të grabitësve.
Kur kanë kaluar lumin e Tapizës, grabitësit kanë zbritur nga furgoni dhe kanë tentuar ta djegin atë. Në këto momente ka mbërritur FNSH dhe ka pasur shkëmbim zjarri mes tyre, ku i vdekur në vend ka mbetur një prej grabitësve, i cili ka marrë një plumb në kokë.
Grabitësit e tjerë, e kanë hedhur trupin e pajetë në lumin Tërkuz, ku edhe u gjet nga policia. Në trupin e pajetë janë gjetur dy kallëpe dinamit të vendosur në brez, ndërsa në dorë kishte një granatë. Në vendngjarje policia sekuestroi 1 automatik dhe 1 granatë.
Të favorizuar nga terreni që ishte kthesë dhe kodër grabitësit janë larguar me një furgon “Benz-vito” pa shkëputur zjarrin ndaj policisë. Mjeti me të cilin u larguan autorët u gjet i djegur afër Bathorës.