Nuk dihet ende se kush është grabitësi që mbeti i vrarë në grabitjen e ndodhur në pistën e aeroportit të Rinasit. Ai nuk ka pasur kartë identiteti me vete. Ndërsa një foto që i është paraqitur rreth 40 të shoqëruarve në polici për ngjarjen, nëse e njohin apo jo grabitësin, të gjithë janë shprehur që jo.
Fotoja i është bërë në vendin e ngjarjes grabitësit teksa mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë. Trupi i tij ka mbërritur në morgun e Tiranës dhe tashmë do t’i nënshtrohet autopsisë. Ai ka marrë një plumb në kokë.
Ndërkohë do t’i bëhen analizat e ADN-së përmes gjurmëve të gishtërinjve për të mësuar identitetin e tij. Pranë morgut të Tiranës kanë mbërritur shumë familjarë, persona që dyshojnë se i vrari mund të jetë i afërm i tyre.