Ndërkombëtarët kërkojnë medoemos votimin e reformës zgjedhore. Ky është një nga kushtet kryesore që Bashkimi Evropian i vendosi Shqipërisë me qëllim hapjen e negociatave në qershor. Por vendimi i Partisë Demokratike dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim për të dorëzuar mandatet e pengoi disi votimin në Parlament të reformës zgjedhore sepse kërkohen 84 vota.
Por teksa së shpejti Komisioni Evropian do të marrë vendimin nëse do t’i japë Shqipërisë sinjal jeshil për hapjen e negociatave, BE i ka hapur rrugën qeverisë që ta miratojë e vetme reformën zgjedhore. Diçka të tillë e bëri të ditur dje vetë ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca gjatë përurimit të regjistrit online për deklarimet e pasurive. I pyetur nga gazetarët, Soreca deklaroi se reforma zgjedhore mund të realizohet edhe përmes disa hapave të qeverisë.
Sipas tij, mazhoranca mund të arrijë e vetme të luftojë shit-blerjen e votës. Soreca theksoi se në disa pika të reformës zgjedhore nuk nevojitet vota e opozitës, duke e shtyrë kështu qeverinë të ecë përpara me plotësimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR. Luigi Soreca zbardhi edhe detaje nga takimi që ai bashkë me Drejtoreshën e BE për Ballkanin Perëndimor, Genoveva Calavera patën pak ditë më parë me kryeministrin Edi Rama.
Ambasadori i BE theksoi se edhe Calavera i kërkoi Ramës që të bëjë përpara me reformën zgjedhore, me apo pa opozitën. “Gjatë vizitës së zonjës Calavera patëm takime të frytshme. Kur u takuam me qeverinë dhe mazhorancën ne e ftuam atë të bisedojë me opozitën për Reformën Zgjedhore. E ftuam qeverinë të krijojë dialog me opozitën, gjithashtu që të merren masa në ato fusha që janë në kompetencë të tyre, pra për të parë dhe të ishim të qartë që nuk kishte nevojë për disa ndryshime legjislative.
Kjo do të thotë që reforma zgjedhore natyrisht mund të kryhet me anën e ndryshimeve legjislative, megjithatë mund të bëhet edhe me disa hapa apo veprime nga qeveria. Ne e kemi ftuar qeverinë si për shembull për të luftuar shitblerjen e votës. Ka disa gjëra që mund të bëhen nga qeveria në këtë fushë që në fakt opozita i ka kërkuar.
Kjo ka të bëjë edhe me rekomandimet e OSBE/ODIHR që mund të kërkojnë ndryshime legjislative, ndërsa disa të tjera veprim nga qeveria”, tha Luigi Soreca. Kujtojmë që edhe Calavera pas takimit që pati me Ramën i kërkoi qeverisë që të vijojë me reformën zgjedhore sepse është në kompetencën e saj votimi i saj. Në këtë mënyrë, BE në një farë mënyre nxjerr jashtë loje opozitën nga miratimi i reformës zgjedhore.
Thirrjet e Sorecës për dialog
Ambasadori i BE dje lëshoi edhe thirrje për klasën politike që të zgjidhet kriza e krijuar. Sipas Sorecës, ura e dialogut ekziston, ajo thjesht duhet gjendur. “Ne kemi qenë të parët që prej shkurtit 2016 që kemi bërë thirrje për dialog dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë në çdo moment, në çdo takim. Tani ka ardhur koha për kompromis.
Kompromisi do të thotë që qeveria dhe opozita të takohen në mesin e rrugës. Ura ekziston dhe ajo thjesht duhet gjendur”, u shpreh Luigi Soreca. Ai e ndali theksin edhe tek ecuria e deritanishme e reformës në drejtësi dhe e procesit të vetingut.
Për ambasadorin e BE, kontrolli i gjyqtarëve dhe i prokurorëve po ecën me ritëm të kënaqur. Ai nënvizoi se duhet të ekzistojë një balancë e pranueshme mes shpejtësisë së vetingut dhe cilësisë në vendimmarrje. Sa i takon zgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm, Luigi Soreca vlerësoi se është ende herët për të folur për këtë çështje sepse jemi akoma tek faza e regjistrimit të aplikimeve. /Nga Mimoza Ibra