Në Itali vazhdojnë ende dilemat se cilat do të jenë forcat që do të qeverisin vendin, pa zgjedhjeve parlamentare që nxorrën si focë të parë 5 Yjet, por si koalicion kryesues të djathtën, me në krye Legën dhe jo Forza Italian e Silvio Berlusconit.
Ky i fundit sot është shprehur agresiv ndaj 5 Yjeve të Luigi Di Maios dhe Beppe Grillos, duke bërë thirrje për një qeveri mes të majtës dhe të djathtës, duke e dëbuar kështu forcën e parë në vend.
Berlusconi tha se duhet një qeveri me mbështetjen e jashtme të Pd-së “mbi vendimet e ndryshme, të cilat mund të pranohen plotësisht ose të amendohen”, pa një aleancë organike, dhe me kontributin e sa më shumë deputetëve të jetë e mundur duke ia rrëmbyer 5 Yjeve.
Është ky qëllimi i Silvio Berlusconit dhe ka qenë ai vetë që ia ka ilustruar deputetëve dhe senatorëve të partisë së tij në Romë.
Pikërisht në momentin ku Matteo Salvini i Legës ia kishte mbyllur derën Pd-së (“Kurrë një qeveri me ta, është e vetmja gjë që përjashtoj”), por duke ia lënë të hapur 5 Yjeve në kuadër të një konvertimi të mundshëm të programeve, lideri i Forza Italia të njëjtën derë e hap por për të “përzënë” Di Maion dhe të tijtë.
Por sipas Berlusconit, deputetët e tjerë të 5 Yjeve duhen marrë te qendra e djathtë përmes fushatës “bëni një shok te 5 Yjet”, të cilën ia sugjeroi pikërisht në këtë formë deputetëve të partisë së tij: “Duhet t’i bindni të largohen nga lëvizja e tyre dhe të mbështesin qeverinë tonë”.
Një plan i cili duket disi larg mundësive reale për t’u konkretizuar, por të cilin Berlusconi e sheh si efikas për t’i dhënë një qeveri vendit dhe për ta rivendosur Forza Italian në qendër të skenës. Lidhur me aleatët e tij Berlusconi shpjegoi se “për momentin Meloni dhe Salvini nuk janë dakord për një qeverisje me Pd-në, por unë do përpiqem t’i bind. Sigurisht duhet kohë, por mendoj se mund t’ia dalim. E rëndësishme është të shmangim zgjedhjet, të cilat nuk i duhen Italisë. Dhe është e drejtë, që qendra e djathtë që i fitoi zgjedhjet, të përpiqet të qeverise”/Shqiptarja.com