Një ditë më parë, Drejtori i ISSK-së, Agron Tufa ka publikuar një dokument, përmes të cilit hodhi akuza të forta mbi deputetin socialist Spartak Braho, se në kohën e komunizmit, ai ka dhënë dënim me vdekje për një person.
Ndërkohë që në një intervistë për gazetën “Dita”, Spartak Braho e ka quajtur Agron Tufën dhe shkrimtarin Gazmend Kapllani si “vrasës me pagesë”.
“– Po. Vrasës me pagesë janë. Pa thonjëza. Pavarësisht se ata nuk e përdorin koburen, pasi u është lagur baruti me kohë e me vakt. Po ata luajnë rolin e vrasësve me pagesë, falë kësaj lirie që kanë fituar. Dhe ky është një abuzivizëm me brirë…”, thekson ai
Braho replikën e tij e quan Kapllanin dhe Tufën si “shkrimtarë leshi”.
“Shkrimtarë leshi. Nuk i njohin as në fshatin e tyre dhe pretendojnë se janë më të mëdhenj se Agolli dhe Kadareja. Lexova reagimin e Kapllanit dhe vura duart në kokë. Ai nuk di të shkruajë shqip. Është një injorant tipik. E shkruan shqipen me 33 germa dhe me gabime të tmerrshme logjike. Nuk po merrem me logjikën e tij prej idioti për historinë, po me atë që ai pretendon se është.
Gazeta që e ka botuar reagimin e tij ka bërë shumë mirë që e ka botuar të pa redaktuar, që lexuesit ta kuptojnë se me çfarë idioti kanë të bëjnë… Ky Kapllani duhet penalizuar edhe për masakrimin e gjuhës shqipe, pa hyrë në idiotësirat e tjera të tij”, thekson Braho.
Ndërkohë që në statusin e publikuar nga Agron Tufa dhe që shoqërohej me dokumentin e kohës së komunizmit thuhet se: “Gjyqtari i Kolegjit Ushtarak të PPSH, sot deputeti Spartak Braho, që kanoset nga salla e Kuvendit pluralist për prerje kokash, ka dhëne dhe dënime kapitale me Vdekje. Në dokumentin e mëposhtëm, (një nga disa dënime me vdekje qe ka dhëne deputeti Braho kur ushtronte drejtesine enveriste), shihet qarte se sa i politizuar behej akti i denimit (jopolitik) me vdekje”, shkruan Tufa bashkangjitur këtij dokumenti.
Kjo, si duket, akordohet ne një linjë nxirjeje të të dënuarit me vdekje, i cili, si person, sipas Brahos: a) nuk është i denjë për të jetuar, si i rrezikshem; b) nuk është i denjë për keqardhje e mëshirë, se vjen nga familje e deklasuar qe ka “strehuar kriminelë” me 1948 dhe ka te dënuar politikë, dmth, familje antikomuniste”.