Padyshim, që për median, lajmi i keq është lajm i mirë. Por mendoj se ky sllogan ka një kufizim, që lidhet me etikën e medias dhe misionin e saj jo vetem për të informuar. Shikoj në mënyrë sistematike një etje për të “shitur” në publik sa më më shumë injorancë, maskarallëk, perversitet, sepse kjo është e vetmja mënyrë për ca shikues e lexues më shumë.
Prej disa ditësh deklaratat ordinere e rrugaçërore të një politikani,(s’po ia përmend emrin për arsye etike ndaj lexuesve) shpërndahen nga të gjitha mediat online vetëm pëse ai fyen nëpër studio, shan ata që ka përballë, ofendon, kërcënon. Eshtë pjesë e vulgut të politikës, por përbën lajm për shkak të asaj që nxjerr nga goja.
Nuk është hera e parë e as e fundit, padyshim. Nuk e kam me të, por me sojin tonë që e bën lajm. Përse kaq shumë etje për të shpërndarë më të pistën e shoqërisë?!
Përse nuk i bëjmë jehonë edhe një njeriu të suksesshëm, një të riu të guximshëm.
Shoqëria jonë sot është në krizë dhe ka nevojë për modele, dhe ne i përplasim surratit më të keqin e mundëshëm.