Në kuadër të zgjedhjeve lokale, nacionale dhe atyre europiane, të cilat do të mbahen me 26 maj do garojnë edhe pesë kandidatë shqiptarë si pjesë e Partisë Socialiste Belge.
Ata janë Amet Gjanaj, Luiza Duraki, Habibe Duraki, Avni Gjanaj si dhe Qëndresa Gerlica.
Me fillimin e fushatës zgjedhore, Amet Gjanaj, deputet aktual i rajonit të Brukselit, njëkohësisht edhe kandidat për Parlamentin Europian, pohoi se ky është një rast i favorshëm për shqiptarët, që përveç parlamenteve rajonale dhe atij nacional belg, të kenë përfaqësi edhe në Parlamentin Europian.
“Ne vijmë me një ofertë të re për komunitetin shqiptar, që të kemi përfaqësues në tri nivele që i kemi përpara, do të thotë nivelin europian, ku jam unë kandidat, nivelin e Belgjikës në Parlamentin e Belgjikës dhe në nivelin e Brukselit ku janë tre kandidatë të pranishëm. Oferta është që komuniteti shqiptar të ecë sa më parë me këtë skenë”, tha ai.
Ahmet Gjanaj është deputeti i parë shqiptar në Parlamentin e Belgjikës. Të gjitha kandidatet janë shprehur besimplotë se me përkrahjen e shqiptarëve, ata do të arrijnë të dalin fitues në zgjedhje.