Dy nga deklaratat e tij publike janë tronditëse dhe të pashembullta. Nuk mund të kishim menduar kurrë se një njeri i politikës, aq më shumë i niveleve të larta, mund të ketë shkalluar deri në këtë shkallë, ose, duke mos qenë në rregull mendërisht, ai ka dalë në një fazë tjetër të mendimit politik.
Do të donim të besonim se është kjo e dyta dhe se ne, shtetarët e zakonshëm, nuk kemi pasur kurrë në krye të shtetit e të qeverisë, një njeri që gjakftohtësish të vret, duke e paramenduar vrasjen si një gjë të rëndomtë.
Po u sjellim disa nga deklaratat e tij në TV, të cilat, edhe një njeri normal do i kishte fshehur brenda vetes:
Për shefin e opozitës së asaj kohe, Edi Rama:
-I thashë ( zyrtarit të lartë të SHBA, i dërguar nga Hillari Klinton) a do i japësh një mesazh Edi Ramës: janë 5 snajper, 4 dhe unë në dritare, e po preke gjë do goditesh…Do goditet, vetëm po nuk e shpoi plumbi.
Për vrasjet e 21 janarit:
-Garda bëri detyrën që i takon në bazë të ligjit,shikoni ligjin. Ata ishin brenda rregullores; në mos garda, mund të ishte gishti i Sali Berishës.
Deklarata të tilla, gjysëm të çmendura dhe gjysmë kriminale, bëri edhe për vrasjet në Tropojë, të cilat i kishte zgjidhur sipas kanunit dhe nga dyshimi se mos Haklajt do e vrisnin.
21 janari, si ishte e ditur, por e pa pranuar nga ish shefi i qeverisë, ka qenë dita e vrasjeve të paralajmëruara. Jo vetëm kaq: ka qenë dira kur ish shefi i qeverisë ka qenë i gatshëm të bëhet vetë vrasës për të ruajtur pushtetin e tij dhe për të fshehur përmes tyre edhe krimet e tjera të ndodhura nga vetë ai, nga njerëzit e familjes së tij dhe bashkëpunëtorët e afërm.