Nga Ardit Rada
Sondazhi më i fundit me publikun shqiptar, i kryer nga kompania italiane IPR Marketing, me porosi të Ora News, ka nxitur debat dhe analizë shifrash në mediat kryesore, por edhe mes politikanëve. Sipas këtij sondazhi të zhvilluar mes 2000 të intervistuarve, rreth 62% e shqiptarëve do të dëshëronin të iknin jashtë vendit nëse do t’iu jepej mundësia.
Në bazë të të dhënave që dalin nga sondazhi, 29.5% e tyre shprehen pozitivisht për punën e kryeministrit Rama, ndërsa 34.7% negativisht. Njëkohësisht, 28.5% e shqiptarëve janë shprehur asnjanës dhe 7.2% janë shprehur se nuk dinë të gjykojnë veprimtarinë e qeverisë.
Edhe Lulzim Basha rezulton jo i preferuar për shumicën e shqiptarëve. Janë 49.3% e tyre që e gjykojnë negativisht punën e tij, ndërsa 13.7% e shqiptarëve mendojnë pozitivisht për veprimtarinë e PD dhe liderit të saj. 28.6 % mendojnë se puna e Bashës është as pozitive dhe as negative. Ndërsa 8.3% janë shprehur se nuk e dinë.
Monika Kryemadhi është më pak e pëlqyera në bazë të sondazhit. 57.2% të shqiptarëve e kanë vlerësuar negativisht. 8.2 % e tyre mendojnë se puna dhe veprimtaria e Kryemadhit janë pozitive, ndërsa 22.7% janë neutralë, kurse 11.9% thonë se nuk e dinë.
Tani le të vijmë të paradoksi që cituam në titull. Sipas sondazhit, 61.1% e qytetarëve shqiptarë janë kundër vendimit të opozitës për djegien e mandateve. 18.7%. e qytetarëve pajtohen me vendimin e opozitës për djegien e mandateve, ndërsa 20.2% janë shprehur se nuk e dinë. Pra, nuk patjohen me atë që opozita ka bërë pas 16 shkurtit.
Nga ana tjetër, 51.9% e shqiptarëve janë shprehur kundër zgjedhjeve të parakohshme. Në favor të tyre janë shprehur 28.9% e qytetarëve shqiptarë. Ndërsa 19.2 janë shprehur se nuk e dinë.
Por, përtej këtyre indikacioneve shumë të qarta, vjen preferenca për partitë shqiptare dhe këtu paradoksi merr formën e plot. Sipas sondazhit, orientimi i votës më 3 prill 2019, sipas përgjigjeve të 2000 personave të pyetur, tregon se 44 % janë orientuar drejt PS kundrejt PD me 38% dhe LSI 15 %. Socialistët kanë rënë me 4% krahasuar me zgjedhjet e 2017, LSI nuk ka lëvizur në shifra, kurse PD ka fituar plot 10%.
Nëse këto preferenca të fundit do t’i shihnim të shkëputura nga shifrat që sondazhi jep për çeshtjen e mandateve dhe pëlqyeshmërinë e liderëve kryesorë politikë, askush s’do të mund të thoshte diçka. Do të mjaftohej në konstatimin se sondazhi lexon avantazh të opozitës dhe asgjë më tepër.
Por është e vështirë të besohet që 53% e shqiptarëve janë me opozitën, por vetëm 29% e tyre duan zgjedhje të parakohshme. Me një fjalë, janë me Bashën dhe Kryemadhin, por duan të vazhdojë t’i qeverisë Edi Rama.
Gjithashtu, është e vështirë të besohet se ndërkohë që vetëm 18.7% pajtohen me djegien e mandateve, por ama janë në masën 53% me opozitën. Pa folur në anën tjetër për faktin që sipas pëlqyeshmërisë së figurave politike, i bie që megjithëse Basha e Kryemadhi vlerësohen negativisht, kanë gjithsesi 53% të votave në këtë vend. Ndërkohë Rama, megjithëse më i pëlqyeri, sipas sondazhit humbet zgjedhjet.
Paradokset e mësipërme janë të vështira për t’u interpretuar. Nëse opozita sot do të kishte shumicën e popullit me vete, sheshet e saj do të ishin plot jo vetëm një herë në muaj, por përditë.
Nëse 53% e shqiptarëve do të votonin opozitën, do të ishte e pashpjegueshme që ata të preferojnë të vazhdojnë me qeverisjen e PS. Ai që është me opozitën dëshëron zgjedhje që nesër në mengjes, sepse dëshëron të largojë Ramën. Por mesa duket, sipas sondazhit në fjalë, paskemi një popull që pëlqeka njërën palë, por gjithashtu preferoka ta qeverisë pala tjetër…