Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin ‘Repolitix’ të drejtuar nga Denis Minga në Report Tv kërkoi sonte një pakt kombëtar për të kaluar krizën politike. Ajo tha se opozita ka lëvizur dhe tashmë është Edi Rama, ai që duhet të lëvizë, ndërsa protesta do të vijojë deri në fund. Duke u ndaluar te protesta e 13 prillit dhe skenarët, kryetarja e LSI-së theksoi se “Ka kohë, kemi akoma edhe 8-9 ditë. Shpresoj që pjesëmarrja do të jetë më e madhe. Kauza jonë do të vijojë, edhe si guerrilas. Unë nuk jam më politikane, jam qytetare” tha ajo.
Monika Kryemadhi u shpreh në zgjedhjet lokale do të futet në koalicion me PD-në, por në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje, pasi më parë sipas saj duhet të zhvillohen të parakohshmet parlamentare me një qeveri kalimtare. Kryemadhi sulmoi ashpër edhe ndërkombëtarët duke u kërkuar që të mos fusin hundët në punët e brendshme të vendit, disa prej tyre i cilësoi si injorantë, ndërsa kishte një paralajmërim të veçantë për ambasadorin e OSBE-së, pas akuzave të forta në 21 mars.
“Ai (Bernard Borchardt) ka probleme këtu, duhet të jetë shumë i kujdesshëm se po ti bëhet vettingu atij dhe ndonjë tjetri nuk dihet si del. Duhet të kenë kujdes ambasadorët kur flasin për shqiptarët se nuk janë Zot këtu. Nëse këta ambasadorët që po bëjnë xhiron e velinave të parlamentit, pasi futja e hundëve në punët e një shteti dhe ngatërrimi me segmente anti shqiptare është shumë e rrezikshme.
Ndërkombëtarët janë bërë qesharakë këtu. Për vettingun kemi bërë propozime në ligj, por e kanë hedhur nuk e kanë pranuar. Njoftuam ambasadat, por të kthejnë përgjigje si intelektualë, kokrrat e injorantëve nuk kanë mbaruar shkollën akoma, këta që bëjnë si ekspertë të zgjuar shumë këta ndërkombëtarët” deklaroi Kryemadhi. Një pjesë e opinionit dhe politikës kanë akuzuar për ndërhyrje nga jashtë për destabilitet, pasi si në Shqipëri dhe në Serbi po zhvillohen protesta në të njëjtën kohë, por a është kjo rastësi apo koordinim? “Nuk mendoj se është rastësi, por ndërgjegje publike dhe qytetare” tha ajo.
Kryeministri Rama e ironizon thuajse në cdo takim kryetaren e LSI-së, por Monika Kryemadhi sonte zbuloi sipas saj se përse e bën një gjë të tillë. Kryemadhi tha se koha e dashurisë me Ramën mbaroi dhe se tani ka filluar koha e drejtësisë. “Rama më sulmon sepse ai nuk ka respekt për gratë. Nuk është më cështje batutash, ai e di që është fundi. Kush e njeh Ramën e di që është shumë keq, nervoz, në panik dhe makth. Të tëra këto i krijojnë oshilacione mendore dhe mbledh administratën atje.
Është plakur, vjetruar sepse fidan të rinj po lulëzojnë në jetën politike, në bahçen e PS-së, Lali Eri, Bushati, Gjiknuri, që po e konkurrojnë. Unë nuk kam qenë dhe nuk jam e varfër, kam një familje të mrekullueshme. Kam një bashkëshort shumë të mirë që i njeh fëmijët e tij dhe i ngjajnë, kam edhe një familje që i duam prindërit tanë, edhe ata që nuk janë gjallë edhe ata që janë. Një njeri që nuk ka respekt për familjen e vet nuk pres dhe nuk duam të më respektojë mua. Koha e dashurisë mbaroi, tani ka filluar koha e drejtësisë” tha ajo.