Rikthehen debatet sa i takon reformës në drejtësi. Shembja e sistemit aktual dhe futja në gjyqësor e personave jo të korruptuar duket se është një mision tepër më i vështirë sesa ishte menduar kur u hartua reforma në drejtësi. Rrëzimet që u janë bërë disa neneve nga Kushtetuesja, mungesa e akteve nënligjore, mungesa e stafeve dhe infrastrukturës po krijojnë shumë probleme për organet e reja dhe veçanërisht për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Por gazeta ka mësuar se situata është tensionuar ndjeshëm në Këshillin e Lartë të Prokurorisë kohët e fundit.
Ky organ ka mbi vete presionin për të ngritur sa më shpejt Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, Byronë e Hetimit dhe zgjedhur Kryeprokurorin. Por puna nuk po ecën aspak vaj. KLP nuk ka ende një godinë të vetën, ndërsa po ashtu i mungon dhe stafi asistues. Burime të sigurta të gazetës thanë se po angazhohen vetë anëtarët për të verifikuar dosjet e anëtarëve të SPAK, ndërsa po përdoren dhe burimet njerëzore të Prokurorisë së Përgjithshme. Por kjo situatë ka krijuar mjaft probleme dhe një burim nga KLP i tha gazetës se kryetari Gent Ibrahimi në një nga mbledhjet e fundit ka kërcënuar se do japë dorëheqjen.
Sipas tij, punët nuk po ecin aspak si duhet dhe situata është tepër kaotike. Ibrahimi ka thënë se KLP nuk ka ende kushtet e përshtatshme që të mundësojë një proces të drejtë dhe transparent. Po ashtu dhe anëtarë të tjerë kanë nisur të shfaqin ankesa ndaj qeverisë e mazhorancës, duke kërkuar më shumë kushte. Problemi më i madh për KLP është godina dhe në shumë raste ata detyrohen të zhvillojnë mbledhjet te ish-KLD. Por po ashtu po hapen problem me rekrutimin e stafeve. Të gjitha këto duket se kanë irrituar Ibrahimin, i cili ka kërcënuar se nëse shteti nuk ndërhyn dhe zgjidh situatën do largohet.
Detyrat e KLP
Këshilli i Lartë i Prokurorisë është momentalisht institucioni më i rëndësishëm në vend, pasi ai ka në dorë fatet e luftës ndaj korrupsionit në Shqipëri. Në KLP kanë shkuar 27 dosje nga 27 kandidatë për SPAK dhe ky institucion duhet që t’i verifikojë secilin prej tyre. Mirëpo kjo është një punë mjaft voluminoze dhe ka shkaktuar përplasje mes anëtarëve dhe pakënaqësi, pasi është tepër e lodhshme.
\
Po ashtu duhet të bëhen shqyrtimet e dosjeve për kandidatë që duan të marrin vendin e Arta Markut. Shumë javë u deshën për të hartuar rregulloret mbi zgjedhjen e anëtarëve të SPAK dhe Kryeprokurorit. KLP ndodhet në vështirësi dhe sa i takon emërimit të prokurorëve. Kushtetuesja ka rrëzuar disa nene dhe nuk bëhen dot emërime, shkarkime apo të merren masa disiplinore ndaj prokurorëve.
Nenet nuk janë ndryshuar ende dhe kjo ka vënë në vështirësi Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Pra duket qartë se ky organ nuk po arrin të fusë në shina reformën në drejtësi dhe po lindin pakënaqësi e përplasje. Pastaj elementi tjetër është se ka shumë presion politik. Opozita e akuzon Ibrahimin se është kunat i Mimi Kodhelit dhe është i kapur politikisht. Po ashtu ndaj shumë anëtarëve të tjerë ka pasur sulme të vazhdueshme. Të gjitha këto kanë krijuar një klimë tensioni në KLP. /Kliti Topalli